Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Zhvillimet e Kongresit të 3 të PS. Intervista me Zëvendës kryeministrin Ilir Meta, me deputetët socialistë Petro Koçi, Dritero Agolli dhe Kastriot Islami për zgjedhjet në PS.

Ilir Meta, Zv/kryeministër:- “Nëse fiton Nano në Kongres unë do të zbres nga podiumi ku rrinë qeveritarët në karrigen time të deputetit dhe do të përkrah alternativat që ai thotë se janë të reja. Natyrisht që mendoj se nuk ka më vend për të vendosur kandidature unë e kam bërë qëndrimin tim të ditur para disa ditësh”.

Gazetari:- Humbja e zonjës Kryemadhi çfarë nënkupton?

Ilir Meta, Zv/kryeministër:- “Kjo tregon që edhe ajo duhet të reflektojë. Në ato drejtime që duhet t’i përgjigjet më mirë kërkesave të anëtarëve të thjeshtë të partisë”.

Petro Koçi, deputet i PS:- “Ne kemi vuajtur nga përqëndrimi i shumë mandateve e posteve në duart e një njeriu dhe prova më e mirë është autokritika që zoti Nano ka bërë për këtë çështje, në kohën kur ai ishte vetë kryetar dhe Kryeministër njëkohësisht”.

Kastriot Islami, deputeti i PS:- “Ju të rinjtë duhet të mësoni si zhvillohet një Kongres. Ka një raport, projektraport i cili lexohet nga sekretari i përgjithshëm dhe miratohet në KPD sepse në Kongres paraqitet raporti i KPD ka dhe dy relacione për ndryshimet në statut dhe në program. Ka tre materiale. Tek materiali i statutit për të cilin ju interesoheni aty janë përfshirë dhe ndryshimet që kanë pasur konsensus dhe ndryshimet që nuk kanë patur konsensus sepse respektohet e drejta dhe e pakicës”.

Gazetari:- Nëse Nano zgjidhet kryetar i PS, Majko duhet të vazhdoj të jetë Kryeministër, është morale?

Dritero Agolli, deputet i PS:- “Patjetër. Po vetë ish-kryetari i partisë dhe is-kryetari i Qeverisë, Fatos Nano, thotë që është kundër asaj teorisë parti-shtet. Në qoftë se ky merr masa për shtetin atëhere bie poshtë teoria e tij që partia është tjetër dhe shteti është tjetër. Në qoftë se ky ndërhyn në punët e shtetit, në punët e qeverisë që të ndërrohet, domethënë fjalët e tij që nuk identifikohet partia me shtetin bien poshtë. Kështu që nuk e ka. Një herë është propozuar nga partia që të jetë ky Kryeministër. Kur ndërron kryetari i partisë nuk do të thotë që të ndërrojë edhe Qeveria. Qeverinë e ka Parlamenti”./tvklan.al

Gazetari – Vladimir Lame