Arkiva Lajme – Tv Klan 2000

Në ditën e dytë të Kongresit të 3-të socialdemokrat ka shpërthyer zemërimi i ish-ministres së Transporteve Ingrid Shuli për largimin nga kabineti qeveritar. Kriza e PS është shkarkuar mbi ne tha Shuli, duke kërkuar që me aleatët të bëhen marrëveshje me shkrim për të mos u shkelur më rregullat e lojës në koalicion.

Ingrid Shuli:- “Nuk mund ta kuptoj dot se si vetëm disa ditë pas largimit tim, në media dëgjon vetëm lëvdata për ritme të larta pune në rrugë apo në sektorë të tjerë të infrastrukturës të transportit. Natyrisht që nuk mund të bëhet mrekullia në pak ditë sepse investimet fillojnë të realizohen vetëm pasi kanë përfunduar procedurat sipas ligjit të cilat zgjasin të paktën 45 ditë. Mendoj se në të ardhmen e afërt pra në zgjedhjet për pushtetin lokal duhet t’ua bëjmë të qartë aleatëve tanë se cilat janë mundësitë tona, potenciali jonë qeverisës, me qëllim që të mos ndodhemi para situatave të mos respektimit të marrëveshjeve të koalicionit”.

Ndërkohë Kongresi i tretë është cilësuar i manipuluar dhe i paligjshëm nga fraksionistët socialdemokratë, Kule, Pango, Myftari dhe mbështetësit e tyre. Në akt-padinë të cilën ata do ta paraqesin javën e ardhshme në gjykatë do të paraqiten prova dhe dëshmimtarë nga konferencat e rretheve. Fraksionistët paralajmërojnë mbledhjen e Asamblesë e më pas të një tjetër kongresi të socialdemokratëve.

Dhori Kule:- “Janë cënuar shumë elementë të statutit dhe akt-padinë do t’ia drejtojmë sipas ligjit Gjykatës së Faktit Tiranë në mënyrë që ky Kongres dhe gjithë institucionet e forumet dhe vendimet që do të marrë ky kuptohet do të konsiderohen të paligjshme”./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame