Kongresmeni demokrat, Jim Moran, deklaroi se Shqipëria ka shënuar progres të jashtëzakonshëm.

Gjatë një takimi me kryetaren e kuvendit, Jozefina Topalli, Moran vlerësoi veçanërisht përpjekjet e qeverisë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit rezultatet e së cilës sikundër tha, u bënë përcaktuese në votën e shqiptarëve në zgjedhjet e 28 qershorit.

Jim Moran: “Progresi i mrekullueshëm që kanë arritur shqiptarët është një atribut i popullit shqiptar në procesin e tij integrues, është një arritje e madhe e  Kryeministrit Berisha. Në takimin që pata me Kryetaren e Parlamentit, e cila është jashtëzakonisht impresionuese, shumë e aftë për të komunikuar, unë konstatova vlerësimin e saj për rëndësinë e madhe që ka anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe sa e rëndësishme ishte që Shqipëria të bëhej një anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut për arsye ushtarake dhe strategjike. E rëndësishme është që Partia Demokratike në Shqipëri u zgjodh për një mandat tjetër dhe se platforma e saj  përfshin luftën e vendosur kundër korrupsionit, shtimin e numrit të kompanive private, një ekonomi të fortë dhe investime në infrastrukturë, rrjetin rrugor e hekurudhor, energjinë, si dhe infrastrukturën njerëzore, një shkollim të mirë dhe kujdes shëndetësor për të gjithë popullin. Shqipëria mund të bëhet një model për pjesën tjetër të botës, duke pasur parasysh aftësitë ripërtëritëse të popullit dhe vizionin e lidershipit të tij.”

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, tha se shqiptarët janë një ndër popujt më proamerikanë.

Mbështetja dhe aleanca e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë shumë e rëndësishme për anëtarësimin në NATO, po ashtu, edhe për pavarësinë e Kosovës theksoi kryeparlamentarja Topalli.

Zonja Topalli zhvilloi takim dhe me kongresmeni Eliot Engel, si dhe senatorin republikan, John McCain të cilët gjithashtu vlerësuan progresin e Shqipërisë drejt integrimit në BE./tvklan.al