Më tepër se gjysma e bizneseve të vogla në bashkinë e Korçës ushtrojnë aktivitetin e tyre të paliçensuar, duke rrezikuar pjesën tjetër të bizneseve, të cilët paguajnë rregullisht taksat vendore.
Shqetësimi është bërë prezent nga anëtarët e shoqatës së biznesit të vogël, sipas të cilëve qindra biznese janë duke shkuar drejt falimentimit për shkak se konkurrohen në mënyrë të pandershme, nga ata që zhvillojnë aktivitetin tregtar në të zezë.
Albert Nasto: “Ne do t’i themi stop që sot edhe tutje, do ndërmarrim ato hapa që i takon një shoqërie të civilizuar, do ndërmarrim hapa. Ky le të jetë sensibilizimi i parë për një shoqëri civile. Ne duam të mbrojmë të gjithë anëtarët e shoqatës së biznesit dhe gjithë biznesin korçar.”
Por nga ana e drejtorisë së të ardhurave në bashkinë e Korçës hidhen poshtë si të pavërteta shifrat e bizneseve,që janë të paliçensuara.
Petrika Tollkuçi: “Dua t’ju siguroj që drejtoria e të ardhurave të bashkisë së Korçës primare si kompetenca për administrimin e biznesit të vogël nga Janar 2007 ka bërë maksimumin e mundshëm për të luftuar informalitetin, kështu gjatë këtyre viteve mund të them gjatë vitit 2007 dhe vitit 2008 janë regjistruar rreth 700 subjekte të reja dhe vetëm për tetëmujorin e këtij viti janë regjistruar dhe 200 subjekte të reja çfarë tregon për një punë serioze nga bashkia e Korçës për të luftuar informalitetin dhe për t’i vendosur gjithë bizneset në pozita të barabarta”.
Biznesi i vogël ka paralajmëruar mbylljen e aktivitetit për disa orë duke filluar nga java e ardhshme, në shenjë proteste ndaj indiferencës së bashkisë./tvklan.al