Lajme Arkiva 2003

Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu gjatë turit të tij elektoral në Bilisht sulmoi kryeministrin Nano duke thënë se ai nuk ka ndërhyrë siç duhet ndaj çështjes së emigrantit të vrarë në kufi. Mediu ka ripërsëritur tezën e republikanëve në lidhje me çështjen e pronës private.

Fatmir Mediu: Ne jemi këtu për t’ju treguar ju se nuk shpërngulim kërkënd, por nuk tolerojmë që shteti shqiptar të mos respektojë kushtetutën dhe të drejtën penale për pronat e tyre, pra nuk do të ketë asnjë konflikt ndërmjet pronarëve të vjetër dhe pronarëve të rinj.

Partia Demokrate e Reformuar organizoi një miting në Durrës në përkrahje të kandidatit të saj Ferdinand Xhaferri, premtimet e reformatorëve përqendrohen në çështjen e taksave vendore dhe transparencën e pushtetit bashkiak.

Genc Pollo: Paterica e madhe e Fatos Nanos në Pushtet dhe e Partisë Socialiste në pushtet është kreu i vjetër i PD-së së vjetër që po të rrijë aty do ti lërë ata në pushtet dhe partia demokrate e re ka dalë në shesh për ta ndryshuar këtë realitet.

Partia e Bashkimit të Drejtave të Njeriut organizoi takimet elektorale në Korçë dhe komunat e saj.

Vangjel Dule: Kur flasim për pushtetin vendor është momenti që pushteti vendor të krijojë kushtet, ti gjendet ne krahë biznesit të vogël dhe profesionistit të lirë se vetëm kështu mund të mbijetojë, vetëm kështu mund të punësoj familjen e vetë, vetëm kështu mund të krijojë vende pune./tvklan.al