Shqiptarët janë konsumatorët më të mëdhenj të barnave në Europë. Kjo pohohet edhe nga drejtori i qendrës kombëtare të kontrollit të barnave Besnik Jaka, i cili dekori se vetëm gjatë vitit të kaluar janë hedhur në treg 42 milion paketime. Ndërsa ngriti si problem marrjen e këtyre barnave pa kontroll mjekësor.

Besnik Jaka: “Ka një tendencë të popullsisë për të përdorur barna për të marrë barna dhe pa recetën e mjekut, por ka dhe një abuzim nga ana tjetër e farmacistëve për të dhënë barna që nuk lejohen për tu dhënë pa recetën e mjekut.”

Nga ana tjetër këshilltari i ministres së Shëndetësisë Elvis Kena ngre si shqetësim varfërinë e tregu farmaceutik shqiptar si dhe qarkullimin e barnave që vendet e BE-së nuk i përdorin më.

Elvis Kena: “… në tregun Europian nuk përdoret më për njerëzit. Tregu jonë farmaceutik ka të regjistruar rreth 1900-2000 barna nga këto aktive do të jenë shumë më pak.”

Pikërisht për të diskutuar në lidhje me përmirësimin e këtij sistemi u mbajt edhe konferenca e parë farmaceutike, gjatë të cilës ministrja e shëndetësisë Anila Godo kërkoi reformimin e sektorit farmaceutik shqiptar me modelet evropiane. 

Anila Godo: “Do të ishte e mangët, do të ishte pa sens e pa kuptimtë dhe pa asnjë impakt pozitiv në praktikë nëse ne do të drejtonim vëmendjen vetëm në hartimin e strategjive të mëdha terapeutike për patologji të ndryshme në unifikimin në rang nacional edhe evropian të këtyre strategjive terapeutike. Nëse jo paralelisht nuk do të punonim për reformimin dhe unifikimin, për afrimin e modelit tonë farmaceutik me modelet europiane.”

Konferenca farmaceutike u organizua nga ministra e Shëndetësisë dhe Instituti i Kujdesit Shëndetësor për të evidentuar problemet dhe hapat e mëtejshëm ku duhet të orientohet ky sistem.

Ministria e Shëndetësisë ka firmosur një memorandum bashkëpunimi me agjencinë nacionale të barnave në Itali. E pranishme ka qenë dhe ministrja e shëndetësisë Anila Godo e cila vlerësuar këtë marrëveshje si shumë pozitive pasi do të thelloj sipas saj reformat e ndërmarra në fushën farmaceutike.

Anila Godo: “Është një memorandum që në Shqipëri do të thellojë edhe më shumë atë lloj reformimi të sektorit farmaceutik që ne tashmë kemi nisur që prej disa muajsh me amendimin që i kemi bërë ligjit farmaceutik dhe që do të thotë një lehtësi më e madhe për biznesin farmaceutik, do të thotë një treg farmaceutik më i shumëllojshëm. Mbi të gjitha do të thotë një treg farmaceutik më i sigurtë, pra medikamente më të sigurta dhe do të thotë ti bësh ballë, të ndërpresësh ose të parandalosh të gjithë abuzimet e mundshme në këtë treg farmaceutik.”

Edhe sipas drejtuesve të agjencisë nacionale të barnave ky memorandum është i një rëndësie të veçantë, pasi Italia e shikon Shqipërinë si një partner shumë i rëndësishëm në fushën e shëndetësisë.

“Kjo marrëveshje është e rëndësishme pasi Shqipëria është një partner shumë i rëndësishëm ashtu si dhe ne me eksperiencën tonë për vendin tuaj. Shqipëria është një partner strategjik për Italinë në fushën e shëndetësisë.”

Gjatë takimit është biseduar edhe për sfidat që i presin të dy vendet në fushën farmaceutike./tvklan.al