Dyshohet se autori ka kryer disa vjedhje javën e fundit
“Pre e grabitjeve ka rënë një tjetër farmaci në Tiranë. Një person i maskuar ka kërcënuar punonjën dhe ka marrë të gjithë shumen e xhiros ditore. Ai ka përdorur një pistoletë dhe më pas është larguar në këmbë”.
Ky është personi që po kërkon Policia e Tiranës. Siç duket edhe në këtë foto të marrë nga kamerat e sigurisë në momentin e grabitjes, autori ka një kapuç në kokë, por edhe maskë për të mos i identifikuar. Ai ka arritur të grabisë farmacinë, fare pak metra nga qendra e Tiranës. Në duar mban doreza për të mos lenë gjurmë dhe grabitjen e realizoi për 20 sekonda. Pasi kërcënoi farmacisten mori xhiron ditore dhe u largua në këmbë.
Policia tha se ka ngritur pika të shumta kontrolli në kryeqytet për ta arrestuar autorin. Nëpërmjet pamjeve filmike hetuesit shpresojnë të bien në gjurmë të këtij grabitësi. Duket e njëjta skemë si në dy grabitje të tjera të ndodhura në Tiranë javën e fundit. Edhe autori sipas policisë dyshohet se është i njëjti.
Dyshohet se në 21 Janar ai ka vjedhur një farmaci tjetër në kryeqytet. Dyshohet se ai është edhe autori i grabitjes së një filiali të kredive.
Për këtë ngjarje specialistët e komisariatit nr.1 kanë identifikuar një 21-vjeçar me të shkuar kriminale. Sipas burimeve nga policia, ai u identifikua nëpërmjet shenjave të gishtave që la në momentin e grabitjes.
Tv Klan