Braçe: Hetim për 3 gjyqtarët që shfuqizuan vendimet e inspektorëve
Kontrolli i strukturave të hetimit tatimor dhe doganor do të përqëndrohet te bizneset e mëdha të cilët mbajnë depozita nafte për përdorim vetijak. Zv/Kryeministri Erjon Braçe u la afat këtyre sipërmarrësve datën 1 Shtator për të deklaruar dhe certifikuar sasinë e lëndës hidrokarbure që administrojnë, përndryshe edhe ndaj tyre do të veprojë ligji.
Numri i dy i qeverisë tha se janë me dhjetra biznese në fushën e ndërtimit, distribucionit dhe prodhimit që mbajnë depozita me lëndë hidrokarbure por që nuk i kanë deklaruar.
Administrata fiskale dyshon se shumë kompani përdorin skemën e lënies së sasisë së naftës në depozitat e bizneseve të tjera me qëllim fshehjen e karburantit për të cilin nuk kanë paguar taksat. Braçe tha se edhe këto shoqëri do të kontrollohen e ndëshkohen. Por zv/Kryeministri kërkoi hetim dhe ndëshkim nga ana e institucioneve të drejtësisë edhe për tre gjyqtarë, një në Tiranë, një në Vlorë dhe një në Gjirokastër.
Sipas Erjon Braçes, 3 gjyqtarët kanë marrë vendime në shkelje të hapur me ligjin duke shfuqizuar akt konstatimet e inspektorëve në aksionin anti-informalitet e duke rihapur disa subjekte të bllokuara, ndërsa gjyqtari i Gjykatës Administrative të Gjirokastrës ka liruar një sasi të konsiderueshme malli me produkte të skaduara.
Tv Klan