Deputeti socialist Erjon Braçe tha se do ta kallëzojë në prokurori deputetin demokrat Falmur Noka, pasi ai qëlloi ndaj tij gjatë seancës së sotme plenare.

“Kjo histori dhune që është instaluar në 27 vite në këtë vend për shkak dhe vetëm të mendimit apo të kundërshtimit duhet të marrë fund. Në rast se në këtë vend do të kishte një sistem drejtësie kjo gjë nuk do të ndodhte më, por në këtë vend nuk ka sistem drejtësie, nuk as prokurori dhe as gjykata të pavarura… që të gjykojnë këto soj kriminelësh që për më tepër vijnë edhe në sallën e kuvendit,” tha Braçe për median në dalje të parlamentit.

“Është fare e qartë se si një deputet i Parlamentit të Shqipërisë, që nuk e ka për herë të parë, ka goditur edhe disa deputetë të tjerë në kuvend dhe kësaj radhe do të bëhem unë arsyeja që ky deputet (Noka) të paditet për goditje për shkak të detyrës. Dhe kjo do të ndodhë që nga nesër,” tha ai.

Braçe akuzoi Berishën dhe të tjerët që e hapen seancën duke thënë “ku është ai gomari për Kryeministrin”.

Deputeti socialist tha se ajo që u pa në parlament nuk ishte asgjë para asaj që kishte ndodhur me 21 Janar në bulevard.

“Ky (Berisha) që është këtu në këtë sallë dhe që nuk duhej të ishte, duhej të ishte para në banke të akuzuarish…Sali Berisha i ka vrarë ata njerëz në mes të bulevardit, i ka pushkatuar, me urdhrin e tij dhe me armët e shtetit dhe ka pastaj mundësinë që të vijë në sallën e kuvendit dhe të sulmojë cilindo,” tha Braçe.

“Unë kam 20 vjet në parlament dhe nuk ka kriminel në këtë tokë që ky njeri të mos e ketë lidhur me mua. Dhe natyrisht vjen dita pas 20 vitesh dhe që edhe ti thuash bo…Nuk ka më kuptim, siç e ka bërë me mua e ka bërë me të gjithë të tjerët,” tha ai. /tvklan.al