Punësim, ulje të nivelit të varfërisë dhe rritje ekonomike. Ishin këto shtyllat e programit qeverisës që prezantoi lider i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, në Konventën Kombëtare të kësaj force politike të mbajtur në Pallatin e Kongreseve.  

Ilir Meta: “3 janë prioritetet kryesore të programit të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Punësimi dhe përsëri punësimi. Programi ynë i mirëstudiuar i llogaritur në mënyrën  më shkencore dhe realiste garanton që Shqipëria t’i rihyjë punës dhe në 4 vitet e ardhshme të garantohen 100 mijë vende të reja të qëndrueshme të punës. Pikërisht në ata sektorë që janë më prioritar për të rritur prodhimin e brendshëm, për të rritur ekonominë tonë që përmes punësimit të qëndrueshëm të luftojmë varfërinë dhe ta shporrim njëherë e morë nga familjet shqiptare gjatë 4 viteve të ardhshme. Ne kemi ndërmarrë disa politika të tjera për të mbrojtur shtresat më të varfra të shoqërisë që po goditen pa mëshirë nga kriza ekonomike dhe paaftësia e qeverisë për të marrë masat e duhura.”

Një tjetër prioritet kryesor që shalli kreu i LSI-së është rritja e investimeve në infrastrukturën rrugore, me qëllimin e vetëm për të lidhur më shpejt shqiptarët nga kudo ndodhen.

Ilir Meta: “Ne do të ndërtojmë rrugën e Arbrit, si një aks i domosdoshëm për t’i bashkuar të gjithë shqiptarët në Shqipëri, në Maqedoni, në Kosovë. Dhe do t’i japim prioritet të jashtëzakonshëm për sa i takon investimeve publike e sidomos rrugëve. Pikërisht rrugëve në zonat me prodhim të lartë bujqësor dhe me mundësi të mëdha për zhvillimin e turizmit.”

Duke prezantuar kandidatët e partisë së tij si më të mirët për qeverisjen e vendit drejt Evropës, lideri i LSI-së ka akuzuar 2 forcat e mëdha politike duke thënë se më 21 prill ndryshuan kushtetutën për hir të aferave të ngushta politike. Një politikë kulimash të cilën qeverisja e Lëvizjes Socialiste për Integrim sipas Metës do ta ndryshojë. Meta shprehu bindjen se me 28 qershor shqiptarët do të zgjedhin alternativën e Lëvizjes Socialiste për Integrim./tvklan.alGazetare: Irma Toptani