Zgjedhjet në Shqipëri dhe marrëveshja Berisha-Meta për qeverinë e Integrimit tërheqin vëmendjen edhe të mediave prestigjioze ndërkombëtare.

E përjavshmja britanike “The Economist” shqyrton në një artikull të gjatë situatën post-zgjedhore në Shqipëri, ku thekson se Partia Demokratike e Sali Berishës ia doli mbanë të krijojë një koalicion duke siguruar kështu vazhdimësinë në pushtet pas zgjedhjeve parlamentare të 28 Qershorit.

Rezultatet paraprake, sipas komentet të kësaj gazete, i dhanë PD-së një avantazh të ngushtë ndaj Partisë Socialiste, vetëm 1% të votave, kur projeksionet tregojnë se dy partitë kanë marrë përkatësisht 46% dhe 45%”. 

Aleanca me LSI-në e Ilir Metës i solli demokrateve 4 vende të nevojshme për qeverinë e koalicionit, e me 75 vende të siguruara në këtë mënyrë kundrejt 65 të socialisteve, Berisha ka një shumicë të shfrytëzueshme.

Ndonëse PD-ja dhe PS-ja e kanë dominuar për një kohë të gjatë politikën shqiptare, qeveritë janë prirur drejt koalicioneve, duke qenë ka shumë parti të vogla që kërkojnë përfaqësimin në parlament, vijon analiza. 

Sipas komentit, tani, në kuvendin e ri, PD-ja ka jozyrtarisht 71 vende, ndërsa e majta 69. Një parti e vogël mbijetoi dhe u bë aktorja kryesore e lojës.

LSI-ja e ish kryeministrit, Ilir Meta, ishte ajo që i dha Berishës kartën e shumicës. Në përgjigjen e tij flakë për flakë, kreu socialist Edi Rama e përshkroi Metën si “patericën e Berishës”, ndërsa ujdinë mes tyre, si paktin më të turpshëm të jetës politike shqiptare këto 18 vitet e fundit”, shton gazeta.

Sipas, “The Economist” zemërimi i Ramës kundrejt Metës është i kuptueshëm dhe intensifikohet qartë nga fakti që zgjedhjet duket se i rrëshqitën nga duart.

“Në fillim të vitit, sondazhet e opinionit tregonin se niveli i mbështetjes për PS-në ishte 39%, ndërsa ai për PD-në 30%. Më pas, demokratet arritën ta zgjeronin këtë përkrahje në 38%, falë edhe hyrjes së Shqipërisë në NATO në muajin prill. Anketimi i fundit, ai i agjencisë amerikane Zogby, tregoi se 42%  e votuesve nën 35 vjeç mbështesnin PD-në dhe 34 % PS-në. Kjo lëkundi besimin e hershëm se Rama, 20 vjet me i ri se Sali Berisha, ishte favorit i votuesve të rinj.

Nga perspektiva e politikës, shkruan gazeta, ka pak për të zgjedhur mes dy partive, si PD-ja dhe PS-ja prezantuan platforma me bosht kryesor integrimin evropian. Të dhënat e qeverisjes së Berishës janë pozitive; 2008-ta ishte viti i parë që Shqipëria nuk pati black-out, infrastruktura rrugore është përmirësuar, anëtarësimi në NATO u arrit dhe rritja ekonomike ka qenë e shëndetshme, 6% në vit./tvklan.al