Përfaqësues të së majtës janë mbledhur në një takim të përbashkët për të bashkëpunuar në mbrojtje të standardeve të zgjedhjeve më 28 qershor dhe largimin e kryeministrit Berisha nga pushteti. Thirrjes së bërë ditë më parë nga kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta i është bashkuar ish-lideri historik i Partisë Socialiste Fatos Nano dhe kryetari i PSV 91 Petro Koçi, ndonëse takimi është bojkotuar nga kreu i socialisteve Edi Rama.

Ilir Meta: “Unë përsëri apeloj dhe në këto pak ditë që kanë mbetur deri në 28 qershor që të ketë reflektime në drejtim të këtij bashkëpunimi dhe kjo ftesë vazhdon të jetë e hapur. Vetëm fryma e integrimit i shkon për shtat një të majte evropiane, që mund të bëjë një Shqipëri evropiane, sepse fryma e përjashtimit e arrogancës apo më keq e cinizmit nuk japin asnjë kontribut pozitiv për suksesin në zgjedhjet e 28 qershorit dhe për suksesin e të majtës dhe të forcave progresiste në 28 qershor dhe pas 28 qershorit. Si në të kaluarën dhe në të ardhmen, zoti Rama do të jetë pjesë e programeve tona integruese.”

Për ish-liderin historik të selisë rozë Fatos Nano bashkëpunimi i së majtës socialiste dhe largimi i Berishës nga pushteti është qëllimi i përbashkët që del mbi çdo interes tjetër.

Fatos Nano: “Nuk mund t’i përgjigjet në qoftë se je politikan i përgjegjshëm, në mënyrë foshnjarake. Nuk mundet të neglizhohet një përpjekje që është në ADN-në e së majtës, në një kohë kur edhe moda politike e kohës të çon në referenca ndaj frymës Obama dhe megjithatë Obama dhe Hillary Clinton punojnë së bashku, ndërsa mungesat në këtë tryezë mesa duket lidhen me një histori të qartë dhe të strukturuar që mban të përçarë të majtën. Unë jam këtu edhe në emër të socialistëve dhe shpresoj se liderët e radhës do të kuptojnë përpara dhe pas 28 qershorit që nuk mund të ndërtohet një karrierë në përçarje, nuk mund të ndërtohet asnjë e mirë për vendin në gjendjen e foshnjërisë së sotme politike.”

E njëjta ftesë drejtuar gjithë faktorit politik të majtë për të qenë i bashkuar në këto zgjedhje erdhi dhe nga kreu I PSV 91 Petro Koçi.

Petro Koçi: “Zgjedhjet janë në rrezik dhe përballë këtij rreziku, mendoj se çdo faktor i përgjegjshëm socialist duhet të reagojë me frymën e bashkëpunimit dhe me frymën e dialogut.”

 Në fund palët dolën me një deklaratë të përbashkët që i angazhonte për kontribut në ndërprerjen e diversionit brenda së majtës dhe krijimin e një fryme bashkëpunimi për ta rikthyer të majtën në pushtet me 28 qershor./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro