2 javët e fundit u shënua rritje e pozitivitetit për 100 mijë banorë
Numrat në rritje të të infektuarve me COVID, për ekspertët e shëndetit publik duhet të shoqërohen me masa kufizuese. Shefi i mikrobiologjisë në QSUT, Andi Koraqi propozon që të bëhet një ndarje e zonave.
“Infektimet më të mëdha ndodhin në restorante, lokale dhe klube nate. Mund të merren edhe masa të kufizimit të pjesshëm, reduktimit të orareve, bareve dhe kafeve apo mbyllje të pjesshme të zonave të nxehta si Tirana, që është e padiskutueshme, Fieri dhe Vlora”.
Dy javët e fundit kanë shënuar numra të lartë infektimesh duke arritur mbi 500 të infektuar ditorë.
“Pozitiviteti nuk ka ndryshim të madh, nga 24 në 26%. Ajo që vihet re që ka rritje të infeksionit është incidenca për 100 mije banorë. Dy javët e kaluara ishte 130, ndërsa dy javët që jemi tani deri në 8 nëntor është 170 për 100 mijë banorë”.
122 persona humbën jetën nga COVID vetëm në muajin tetor. Por pavarësisht numrave absolutë të vdekjeve, për doktor Andi Koraqin, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar vdekshmëria nga virusi është e krahasueshme edhe me ato nga gripi dhe virozat e tjera.
Tv Klan