“Këto janë javët më të rrezikshme, kërkohet kujdes maksimal”
368 viktima për 24 orë. Këto ishin shifrat e frikshme që u bënë publike të dielën nga autoritetet italiane duke e çuar numrin e përgjithshëm të personave që kanë humbur jetën nga koronavirusi në 1 809. Ndërkohë numri i të infektuarve ka shkuar në 20 600.
Kryeministri italian, Giuseppe Conte në një intervistë për mediat italiane këtë të hënë është shprehur që kjo emergjencë nuk është parë ndonjëherë që pas Luftës së Dytë Botërore.
“Duhet të shmangim të gjitha daljet që nuk janë të nevojshme. Është momenti për sakrifica, për përgjegjësi. Po përjetojmë një emergjencë që nuk është parë ndonjëherë që prej Luftës së Dytë Botërore. Shumica e italianëve janë të vetëdijshëm se rregullat e reja shërbejnë për të mbrojtur të dashurit tanë. Jam krenar që udhëheq këtë komunitet dhe duartrokitje për mjekët dhe infermierët”, tha ai.
Sipas kryeministrit nëse njerëzit qëndrojnë në shtëpi do të jetë më e lehtë që të përballohet virusi, por më e keqja nuk ka ardhur akoma.
“Shkencëtarët thonë që nuk e kemi arritur pikun. Këto janë javët më të rrezikshme që kërkojnë kujdes maksimal”, tha Conte. /tvklan.al