Rishikimi i kufijve nuk do të shtrohet për diskutim në dialogun e Brukselit mes Prishtinës dhe Beogradit. Këtë e konfirmoi kryeministri kosovar Ramush Haradinaj pas takimit të zhvilluar paradite me presidentin Hashim Thaçi dhe kreun e Kuvendit Kadri Veseli.
Ramush Haradinaj:
Procesi i dialogut nuk nënkupton diskutim të kufijve e as territorit të Kosovës. Edhe presidenti i vendit shprehu qëndrimin e tij se respekton territorin, sovranitetin dhe integritetin e vendit dhe nuk pranon me u diskutue territori i vendit.
Haradinaj tha se një nga kushtet e dialogut me Serbinë, që do të përcaktohen nga pala kosovare do të jetë njohja reciproke.
Por presidenti Hashim Thaçi këmbëngul se propozimi për bashkëngjitjen e Preshevës, Medvegjës e Bujanovcit me Kosovën duhet të shtrohet në dialogun me Beogradin, por pa lëshuar asgjë në këmbim.
Hashim Thaçi:
Idetë për Veriun janë ide të huaja, janë të njerëzve që duan ndarjen e Kosovës në asnjë rrethanë, me asnjë çmim diçka të tillë. Por askush nuk duhet t’i frikësohet bashkëngjitjes së Preshevës, Medvegjës e Bujanovcit me Kosovën prandaj do të punoj përulësisht dhe në fundit përmes referendumit qytetarët e Kosovës të deklarohen për marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë.
Të mërkurën, partitë opozitare në Kosovë dorëzuan kërkesën për seancë të jashtëzakonshme me 4 shtator, për të votuar një rezolutë që e ndalon presidentin Thaçi të shtrojë për diskutim rishikim e kufijve.
Tv Klan