Këta dy njerëz i dhanë fund të enjten çdo debati dhe bisede lidhur me protokollin e misionit evropian me Serbinë.
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi, e kumtuan këtë qëndrim në një takim që patën me përfaqësuesin civil kombëtar Peter Faith dhe shefin e EULEX-it, Yves de Kermabon.
Ky qëndrim i cili sipas një kumtese shtypi të presidencës është vendim i prerë i liderëve të Kosovës, megjithatë nuk doli të jetë i qartë sa duhet.
Nëse i jep fund çdo debati në Kosovë lidhur me këtë çështje apo vetëm debatit e bisedave mes institucioneve të Kosovës dhe EULEX-it.
Kjo pasi sipas kumtesës liderët thanë se institucionet e Kosovës janë institucione sovrane dhe rrjedhimisht marrin vendime sovrane në pajtim me kushtetutën dhe ligjet e vendit.
Sipas tyre republika e Kosovës nuk merr asnjë obligim dhe përgjegjësi për çështjet për të cilat nuk ka vendosur në mënyrë sovrane.
Aty nuk thuhet fare nëse edhe EULEX-i është pajtuar të heqë dorë nga protokolli dhe nga debati për të.
Presidenca njofton vetëm se Sejdiu e Thaçi u thanë Faithit dhe Kermabonit se institucionet e Kosovës do të bashkëpunojnë ngushtë me EULEX-in dhe … në interes të të gjithë qytetarëve të republikës së Kosovës.
Gjithnjë sipas njoftimit nga zyra e parë në vend në takim u fol edhe për takimet e fundit në veri dhe për protestën e Lëvizjes Vetëvendosje.
Duke shprehur mbështetjen për të drejtën e kthimit të të gjithë qytetarëve në shtëpitë e tyre, presidenti e kryeministri u thanë dy evropianëve se institucionet dhe populli i Kosovës janë kundër dhunës së demonstruar në Mitrovicë dhe kundër demolimit të pasurisë së EULEX-it./tvklan.al