Kosova i ka ardhur në ndihmë Shqipërisë nëpërmjet depozitimit të një pjese të superprodhimit të energjisë elektrike këto javët e fundit, si pasojë e rritjes galoponte të prurjeve hidrike në veri të vendit. Ministrja Kosovare e Energjetikës dhe Minierave Justina Pula, gjatë një takimi në Tiranë me homologun Prifti, ka deklaruar se prej 26 dhjetorit, Kosova nuk ka prodhuar energji prej termocentralit të saj për t’i ardhur në ndihmë KESH-it.

Justina Pula: “KEK-u për shkak të situatës emergjente e cila është në Shqipëri, i ka ndal dy njësitë për prodhimin e energjisë elektrike të termocentralit kosovar, për me ja dhëne mundësinë  e shfrytëzimit të kapaciteteve hidro-potencialeve, që do të thotë ky lloj marrëveshje ka ekzistuar dhe vazhdon sa i përket shkëmbimit. Termoelektrana A është ndalur me 26 dhjetor dhe tani me 1 janar, që do të thotë vetëm për shkak të situatës emergjente”.

Dritan Prifti: “Ne gjatë dy muajve të fundit i kemi dhënë energji Kosovës. Deklaratat për marrje energjie janë të pa vërteta. Ne i kemi dhënë me një intensitet shumë të lartë Kosovës energji. Marrëveshja funksionoi që kryesisht ne nga Kosova e marrim energjinë, pra në kuadrin e një marrëveshje shkëmbimi, e marrim gjatë periudhës së verës.”

Sipas ministres kosovare prania e saj në vendin tonë është konfirmimi i mbështetjes shumëplaneshe, që Kosova po i jep Shqipërisë në këtë situatë emergjente, shkaktuar nga reshjet e mëdha në veri të vendit.

Leonard Beqiri: ”Duke filluar nga ora 12 e ditës së sotme do të ndalen shkarkimet e ujit në tunelin numër 4 në hidrocentralin e Fierzës dhe nga tunelet e hidrocentralit të Komanit. Shkarkim do të ketë vetëm në hidocentralin e Vaut të Dejës, në masën 200 metër kub në sekondë nga porta. Kjo do të bëhet, sepse niveli i ujit në hidrocentralin e Fierzës arriti në kuotën 290 metra, kuotë e përcaktuar si normale për këto prurje, për këtë periudhë në rregulloren e trajtimit të plotave në hidrocentralet e kaskadës së Drinit”. /tvklan.al