Nën moton ecja në pavarësi, Kosova përgatitet të festojë 1 vjetorin e shpalljes së mëvetësisë. Qeveria e Kosovës, ka hartuar ndërkohë planin për festimet e 17 shkurtit në të gjitha komunat e vendit. 150 mijë euro janë dhënë nga buxheti i Kosovës për organizimin e ceremonive për 1 vjetorin e pavarësisë. Nga qytetarët Prishtina zyrtare kërkon që të jenë të përmbajtur e të festojnë me dinjitet ashtu si 1 vit më parë.
Serbët e veriut të Kosovës nga ana e tyre kanë paralajmëruar protesta kundër pavarësisë, madje strukturat udhëheqëse të cilësuar si vijë e ashpër, kanë bërë thirrje që sërish të digjen 2 pikat doganore të Kosovës veriore me Serbinë. Zyrtarët e policisë kanë deklaruar se janë gati t’i përgjigjen të gjithave provokimeve duke u bërë thirrje qytetarëve të festojnë në mënyrë paqësore.
Përfaqësuesi i kësaj force Shpend Maxhuni, deklaroi se mund të ketë tubime të vogla, por garantoi se janë marrë të gjitha masat për t’u përballur me çdo të papritur. Kryeministri iu Kosovës Hashim Thaçi, tha se institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare i kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar çdo lloj shantazhi që mund t’i bëhet Kosovës nga Serbia./tvklan.al