Në Kosovë janë 1.586.659 banorë të regjistruar, sipas të dhënave përfundimtare të Regjistrimit të Popullsisë, ekonomive Familjare dhe Banesave. Megjithatë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës konsiderohen 1 mln e 602 mijë e 515 banorë rezidentë.
“ASK-ja e ka bërë vlerësimin edhe për komunat me shumicë serbe në veri të vendit, ku procesi ishte bojkotuar në masë të madhe dhe se pas përfshirjes së komunave në veri del se gjithsej banorë rezidentë në Kosovë janë 1,602,515 persona”, thotë drejtori i ASK-së, Avni Kastrati.
Mosha mesatare e popullsisë është 34.84 apo rreth 5 vjet më e vjetër krahasuar me vitin 2011 ku mosha mesatare ishte 29.97 vjeç. Sipas rezultateve krahasuar me vitin 2011 grupmosha 0-14 vjeç ka pësuar ulje prej 6.07%, grupmosha 15-64 vjeç ka shënuar rritje prej 1.83%, ndërsa grupmosha mbi 65 vjeç ka shënuar rritje prej 4.26%.
Pjesa më e madhe e popullsisë në Kosovë është deklaruar se i përket besimit mysliman edhe në regjistrimin e 2024-tës, por vërehet rritje në numrin e banorëve të regjistruar si ortodoksë dhe pa religjion krahasuar me vitin 2011. 93 për qind e banesave/shtëpi janë me pronar dhe shumë pak janë me qira.
Është rritur numri i ekonomive familjare për 69,505. Hendeku gjinor është zvogëluar nga 11,975 në vitin 2011 në 5,538 në vitin 2024, që përfaqëson një zvogëlim prej 53.8%. Sipas statistikave del se nga dëmet e luftës janë të prekura gjithsej 154,272 ekonomi familjare.
Dëmet vetëm në ekonomi familjare, jo në institucione, janë vlerësuar mbi 5 miliard euro. Rezultatet e ASK-së tregojnë për lëvizje të popullsisë në zonat urbane. Për herë të parë popullsia urbane (50.2%) e kalon atë rurale (49.8%).
Në këto rezultate nuk janë publikuar të dhënat për diasporën pasi që procesi vazhdon edhe këtë muaj. Në pjesën veriore të Kosovës është regjistruar vetëm një pjesë e popullsisë për shkak të thirrjes për bojkot.
Tv Klan