Ky është Agim Myftari. Është mjeshtri i metalit në Vlorë. Sot është 75 vjeç dhe këtë zanat e ka nisur që në moshën 15-vjeçare. Thotë se nuk e ka patur të trashëguar, por e ka filluar nga dëshira për të patur një punë.
Kujton se në atë kohë ka patur shumë të rinj të cilët ishin ndihmës kovaç. Ai nuk hoqi dorë dhe e mësoi profesionin. Pas rënies së diktaturës, vendosi që të qëndronte në të njëjtin vend ku ka hapur punishten e tij
Ndonëse është i moshuar, punën nuk e ka ndërprerë. Zanatin e kovaçit e cilëson të vështirë, por megjithatë gjatë këtyre viteve ka mundur që të nxjerrë të ardhura për të mbajtur familjen e tij.
Agimi thotë se gjatë punës së tij e ka patur shumë të rëndësishme komunikimin me klientët dhe që këta të fundit të mbeten të kënaqur. Në punishten pranë tregut të Vlorës punon me nipin e tij, të cilit ia ka trashëguar zanatin.
Kovaçi nga Vlora thotë se i vjen keq që nuk i sheh të rinjtë pranë këtij zanati, ndaj kërkon që mosha e re të nxitet drejt profesioneve.
Klan News