Newcastle mposhti Manchester United me rezultatin 2-0 në Premier League këtë të hënë në Old Trafford. Kjo ishte fitorja e dytë e Newcastle në këtë stadium në ndeshjet e luajtura në kampionat që prej 1979.

Me pesë humbje në gjashtë ndeshjet e fundit në kampionat, Manchester United ka zbritur në vendin e 14 në renditje me 19 pikë. Është pozicioni më i keq që prej vitit 1989, në të njëjtën periudhë. Edhe pse nuk është përgjegjësi kryesor, trajneri portugez Ruben Amorim deklaroi se ndjehet i turpëruar që ekipi po zbret në luftën për mbijetesë në premierleague.

“Është një moment shumë i vështirë, por ne duhet të luftojmë për të fituar ndeshjen tjetër. Pra, është pak e sikletshme të jesh trajner i Manchester United dhe të humbasësh shumë ndeshje. Por ne duhet të përballojmë momente të vështira.”

Sipas trajnerit duhet edhe pak kohë që lojtarët të përshtaten më mënyrën e tij të lojës. Vështirësia qëndron në karakteristikat e tyre dhe mënyra e lojës që kanë bërë deri para se ai të merrte detyrën. Ruben amorim e nisi punën si trajner i Manchester United në fund të Nëntorit. Që prej atëherë ka marrë 4 fitore, 6 humbje dhe 1 barazim.

Tv Klan