Vota e diasporës është e vështirë të realizohet në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025, për shkak të afateve kohore. Pas konsultimit me operatorët e shërbimit postar, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka njoftuar partitë politike se koha që ka në dispozicion KQZ për të çuar dhe pritur votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit është e pamjaftueshme.
“Afatet për regjistrimin e subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve, së bashku me kohën për prodhimin e fletëve të votimit, daton rreth 10-12 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Në çdo rast jo më parë se 30 ditë përpara. Të gjithë operatorët, përfshi edhe atë publik, vlerësojnë se është e pamundur dërgimi i fletëve të votimit jashtë dhe kthimi i tyre në Shqipëri në një kohë më të shkurtër se 30-54 ditë. Praktikat e vendeve të tjera, ku disa prej këtyre operatorëve janë angazhuar në votimin nga jashtë, konfirmojnë afatin e dërgimit dhe të kthimit të fletëve të votimit nga jashtë, në një periudhe kohore jo me të pakët se 45 ditë.”
Sipas sqarimit të dhënë nga Celibashi për partitë duhet përjashtuar kategorikisht alternative e dërgimit të fletës nga votuesi drejt KQZ-së me postë të thjeshtë, pasi kjo e fundit nuk ka gjurmim të asnjë lloji.
Sipas Kodit Zgjedhor, asnjë zarf me votë që vjen në Shqipëri pas orës 19:00 ditën e zgjedhjeve, nuk do të numërohet. Ndërkohë, edhe Komisioni Rregullator i KQZ shtyu seancën për rregullat se si do votojnë emigrantët.
Klan News