Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Papërgjegjshmëria e komisionerëve të KZQV së Tiranës bëhet pengesë për shpalljen e rezultateve përfundimtare për bashkinë qendrore të kryeqytetit. Në një konferencë për shtyp zëdhënësi i KQZ Erton Sinani ka deklaruar se janë të mëdha, problemet e hasura në këtë KZQV, të cilat po vonojnë shpalljen zyrtare të fituesit për bashkinë e Tiranës.

Erton Sinani:- “Një nga faktorët më të rëndësishëm këtu është edhe KZQV e bashkisë Tiranë, e cila edhe pse KQZ po ushtron një presion të madh përsa i përket insistimit dhe përqendrimit të tyre, në mbarëvajtjen e punës, kjo nuk është reflektuar sa duhet. Të gjitha partitë politike, të cilat kanë propozuar anëtarët në këtë komision, nuk po ushtrojnë influencën e tyre, që këta komisionerë t’i përgjigjen detyrimeve të kodit zgjedhor”.

Ndërkohë që përsa i përket bashkisë së Durrësit, sipas Sinanit, rezultatet tashmë kanë mbërritur në KQZ, por mungon vendim marrja nga të gjithë komisionerët e KZQV-së së këtij qyteti. KQZ, do të vendosë në mbledhjen e tij më të afërt për shpalljen e rezultateve përfundimtare për bashkinë e Durrësit, pasi të ketë parë edhe katër ankimimet e mbërritura nga të dyja palët kundërshtare në zgjedhje PD dhe PS, si dhe nga vetë rivalët Hoxha dhe Koka./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka