Lajme Arkiva – TV Klan 2003
KZQV e Tiranës është në ditët maratonë të punës. Përpunimi i të dhënave nga kutitë e votimit vazhdon. Është kaluar kështu situata bllokuese, por të tilla duket se do të mbeten shumë kuti votimi. Sipas komisionerëve, nga 95 kuti të vëzhguara, 78 prej tyre kanë pasur parregullsi dhe janë lënë mënjanë, por anëtarë të pozitës, të PS premtojnë se kuti të tilla duhen marrë në konsideratë.
Komisioneri i PS:- “Nuk janë marrë parasysh procesverbalet e dorëzuar dorazi, tabelat e rezultateve të dorëzuar dorazi. Këto duhen marrë parasysh për arsye se jemi të detyruar që votën që ka dhënë populli në ta gjejmë ku është. Administrimin e votimit në qytetin e Tiranës, e kemi për detyrë ta realizojmë neve. Ne kemi për detyrë dhe në ato raste kur nuk është gjetur në kutinë e votimit, fleta, tabela e rezultateve, jemi të detyruar, që ta kërkojmë ku është”.
Pala tjetër, anëtari i Partisë Republikane argumenton shkeljen e ligjit nëse veprohet kështu.
Komisioneri i PR:- “Problemi më kryesor ka qenë ai i mungesës së tabelave në kuti. Zotërinjtë kanë tentuar fillimisht të bëjnë bllokimin, pra të mos merret kuorumi i mjaftueshëm 5 me 2 edhe në këtë rast. Ne nuk e kemi pranuar, i jemi referuar ligjit, kemi marrë edhe konsulencën ligjore për këtë punë, nuk mund të njohësh rezultat atje ku nuk ka rezultat”.
Ndërsa sot duke vazhduar aktivitetin e tij si kryetar bashkie Edi Rama gjatë mbjelljeve të mbi 200 pemëve në bulevardin “Zogu i Parë” është prononcuar mbi punën e KZQV e Tiranës.
Edi Rama:- “Pulat le të lehin, karvani le të shkojë përpara dhe ajo që do të mbetet do të jetë puna. Unë jam këtu për të punuar dhe jo për t’u marrë me pulat që lehin. Vullneti i kryeqytetasve është shprehur në mënyrë plebishitare dhe këtë vullnet nuk ka zot që e kthen mbrapsht”./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti