Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Pas konstatimit për ekzistencën e 1700 personave që rezultojnë të vdekur në listat e votuesve në rrethin e Gjirokastrës, u interesuam në KQZ. Zëdhënësi Erton Sinani, pranon se KQZ është dijeni të këtij fenomeni, zgjidhja e të cilit është e vështirë.
Erton SInani:- “KQZ është në dijeni, që ka persona të presupozuar të vdekur jo vetëm në Gjirokastër, por edhe në listat paraprake të zgjedhësve të shpërndarë dhe nëpër komuna apo bashkitë e tjera të republikës. Ky është një problem i vjetër dhe vjen si pasojë e arsyeve objektive, pasi këta persona nuk janë të deklaruar ligjërisht të vdekur, pasi përfshihen nëpër regjistrat e zyrës së gjendjes civile dhe është e pamundur që punonjësit e zyrave të gjendjes civile të mos i reflektojnë këto të dhëna në listat që i dërgojnë KQZ, pasi kjo do të përbënte një vepër penale dhe është e pamundur që dhe KQZ të merrte një vendim të njëanshëm, për të hequr këta persona nga listat paraprake të zgjedhësve”.
Për t’i çregjistruar të vdekurit, në të gjithë Shqipërinë nga regjistrat themeltar të gjendjes civile, Ministria e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit ka ngritur grupe pune, të cilat do të mbledhin informacionin e nevojshëm. Më pas për çdo individ duhet të hapet një çështje gjyqësore. Kjo rrugë është e gjatë, duke rrezikuar kështu që në zgjedhjet vendore të 12 Qershorit të shkohet në votime me 7 mijë të vdekur./tvklan.al
Gazetare – Danjela Kostandini