Në nënkomisionin për diasporën, Ilirian Celibashi u shpreh se në KQZ ka ngritur drejtorinë për të mundësuar votimin e diasporës në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm.
Sipas Celibashit tashmë KQZ është duke pritur palët politike nëse do të arrihet dakordësia për të finalizuar plotësimin e boshllëqeve ligjore.
Ilirian Celibashi, kryetar i KQZ: KQZ tashmë e ka ndërtuar strukturën administrative brenda tij, të posaçme e cila ka përgjegjësi të dedikuar në lidhje me të gjitha aspektet e procesit të votimit nga jashtë. Ne tashmë e kemi të konsoliduar nga kjo pikëpamje, nga pikëpamja administrative drejtorinë për votimin nga jashtë dhe e kemi të organizuar në mënyrë të tillë që t’u përgjigjet të gjitha atyre elementeve teknikë të zhvillimit të votimit nga jashtë, duke nisur nga procesi i regjistrimit, i administrimit të votave dhe i nxjerrjes së rezultatit.
Sa i përket procesit të regjistrimit dhe identifikimit të votuesve jashtë vendit Celibashi tha se i duhet të presë se çfarë do të vendosë për këtë çështje Kuvendi i Shqipërisë. Ai ofroi garanci për sigurinë e procesit të votimit, numërimin e fletëve të votimit dhe për nxjerrjen e rezultatit përfundimtar.
Ilirian Celibashi, kryetar i KQZ: Të paktën të mundësojmë votimin e atyre qytetarëve që kanë një lloj ndërgjegjësimi dhe interesi për të marrë pjesë në proces. Jo të gjithë votuesit nga jashtë do të kenë interesin për të marrë pjesë në votime. Për sa i përket procesit të regjistrimit të identifikimit ne duhet të presim se çfarë Kuvendi i Shqipërisë do të vendosë në lidhje me këtë çështje. Nga ajo çfarë kam parë nga draftet e propozuara do të jetë institucioni i KQZ-së që do të administrojë të gjitha kërkesat. Ne kemi prezantuar ndoshta jo në mënyrë thelbësore disa element të sistemit, të regjistrimit dhe të administrimit të këtyre kërkesave, i cili natyrisht do duhet dhe do të ofrojë të gjitha garancitë mbi integritetin e tij.
Celibashi u bëri thirrje palëve politike që të angazhohen, pasi dhe koha në dispozicion është e pakët dhe se kemi të bëjmë me një proces shumë të vështirë.
Klan News