Me pranga në duar, i shoqëruar nga një furgon i policisë, Fredi Belerit iu dha leje e posaçme nga Drejtoria e Burgjeve që të ishte këtë të premte në mbledhjen e KQZ, ku ju komunikua përfundimi i mandatit të kryetarit të bashkisë.
Mandat që nuk e ushtroi dot asnjë ditë dhe që nuk arriti të bënte as betimin si kryebashkiak pasi ndodhej në burg me akuzën e blerjes së votave, për të cilën u dënua me 2 vite burg.
Si Beleri ashtu dhe avokatja e tij, përfaqësuesi ligjor i koalicionit opozitar dhe kryetari i partisë që e propozoi, argumentuan se KQZ nuk kishte kompetencë për shqyrtimin e kërkesës për ndërprerjen e mandatit të Belerit.
Sipas tyre, në rastin e Belerit nuk duhet të zbatohej ligji i dekriminalizimit ku të dënuarve me vendim të formës së prerë nuk u lejohet të kandidojnë dhe ushtrojnë funksione publike por ligji për vetëqeverisjen vendore parashikon shkarkimin nga Kryeministri në rast të dënimit me vendim të formës së prerë.
Sipas tyre, shumica po ngutet të heqë mandatin Belerit për t’i hapur sa më parë rrugë zgjedhjeve të parakohshme në këtë bashki.
Argumente që i përballën me përfaqësuesin e Partisë Socialiste si dhe Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve që mendonin se ishte në tagrin e KQZ vendimmarrja për këtë rast.
Menjëherë pas këtij vendimi, kryeministri nuk ka humbur kohë dhe ka njoftuar Presidentin e Republikës me anën e kësaj shkrese për krijimin e vakancës në Bashkinë e Himarës me kërkesën që të shpallë datën e zgjedhjeve të pjesshme. Afati kushtetuese pas marrjes së njoftimit për presidentin për shpalljen e zgjedhjeve është 45 ditë.
Tv Klan