Për herë të parë në Shqipëri procesi i numërimit të fletëve të votimit do të monitorohet nga 385 kamera në 66 vendet e numërimit në shkallë vendi në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.
KQZ ka miratuar me 7 vota pro ngritjen e sistemit që parashikon instalimin e kamerave me rezolucion të lartë për monitorimin e këtij procesi.
Petrit Gjokutaj: “Të paktën 40 ditë para ditës së zgjedhjeve të kemi gati vendet e numërimit të votave. Procesi është menduar të zgjasë për të gjithë Shqipërinë për të 66 vendet 1 muaj, pra 10 ditë para ditës së zgjedhjeve ne të marrim në dorëzim të testuar këtë sistem.”
Sipas kodit zgjedhor në çdo vend numërimi të votave ngrihet jo më pak se 5-10 tavolina numërimi. Çka nga përllogaritjet rezulton se në 66 vende do të ngrihen 385 ambiente numërimi.
Njazi Kosovrasti: “Unë kam vetëm dy kërkesa, kërkesa e parë që besoj është e përbashkët e të gjithëve është që problemi të zgjidhet në kohë. Procesi duhet të funksionojë cilësisht, pra në qoftë se ne e realizojmë në kohë dhe një ditë të bukur na ndodh një defekt dhe ndodhemi para një të papritur nuk kemi bërë asgjë.”
Petrit Gjokutaj: “Deri sa futemi në këtë proces të regjistrimit dhe transmetimit të sinjalit mundet ti krijohet KQZ-së dhe një komoditet që tërë procesi si përgjegjëse për administrimin e gjithë procesit në vend ta monitorojë nga salla e mbledhjeve të veta.”
Njazi Kosovrasti: “Dimë paratë dhe mendojmë se çdo marrim apo mendojmë se ç’na duhet dhe do kërkojmë paratë.”
Arben Ristani: “Neve nuk dimë sa do në kushtojë projekti, por duam të nisim procedurën sepse nuk kemi kohë.”
Arben Ristani deklaron se deri tani janë dy variante të propozuara ose kamerat e vrojtimit do të blihen ose sistemi do të ofrohet nga një kompani private./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani