Kryeministri Berisha priti në një takim reporterë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Përfaqësuesit e kësaj asambleje Jako Lakso dhe David Wilshire, u shprehën se i qëndrojnë plotësisht raporteve tashmë të publikuara nga faktori ndërkombëtar për zgjedhjet dhe se nuk ka nevojë që të diskutohet më për këtë çështje në raportin që ata po përgatisin.

Kryeministri Berisha u bëri me dije reporterëve të Këshillit të Evropës se zgjedhjet parlamentare ishin zgjedhjet më të mira të zhvilluara në Shqipëri gjatë gjithë periudhës së tranzicionit.

Përsa i përket kërkesave të opozitës për rinumërim, në takim u theksua se në asnjë rast politika nuk mund të ndërhyjë për të ndryshuar vendimet e gjykatave.

Reporterët e uruan kryeministrin Berisha për zgjedhjet parlamentare dhe fitoren e koalicionit qeverisës.

Me anë të kësaj vizite reporterët shprehën gatishmërinë e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për të ndihmuar Shqipërinë me çështje me interes të përbashkët.

Kryeministri Berisha i falënderoi reporterët për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Shqipërisë dhe i siguroi ata për vendosmërinë e qeverisë për të vazhduar këtë bashkëpunim të ngushtë.

Delegacioni i reporterëve të Asamblesë Parlamentare të KE-së, u prit edhe nga zëvendës kryeministri dhe ministri i punëve të jashtme Ilir Meta.

Përmbushja hap pas hapi e rekomandimeve të kësaj asambleje tha Meta është konsideruar si detyrë e rëndësishme e Shqipërisë dhe institucioneve të saj.

Anëtarësimi në NATO, aplikimi për statusin e vendit kandidat për në BE si dhe ecuria në procesin e liberalizimit të vizave janë tregues të drejtpërdrejtë të suksesit të reformave institucionale, vuri në dukje ministri i Jashtëm. 

Reporterët Lakso dhe Wilshire janë pritur në një takim edhe nga presidenti i republikës Bamir Topi. Procesi zgjedhor i 28 Qershorit zuri në vend të veçantë në bisedën mes tyre.

Kreu i shtetit vlerësoi standardet, regjistrimin në kohë të votuesve si dhe qetësinë para dhe pas zgjedhore.

Të dy raportuesit shprehën vlerësime për përparimin e bërë nga Shqipëria në drejtim të konsolidimit të demokracisë./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro