Tryeza e së shtunës mes kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit socialist Edi Rama shihet nga ndërkombëtarët si një shans i mirë për zgjidhjen e ngërçit politik.
Deklaratat më të fundit të ardhura nga Brukseli inkurajojnë dialogun mes palëve dhe i bëjnë thirrje opozitës në veçanti ti japë fund bojkotit.
Kryetari i Komisionit për Çështjet e Jashtme në Parlamentin Evropian, Gabriele Albertini vlerëson se kërkesa e Partisë Socialiste për hapjen e kutive nuk mundet dhe nuk duhet të pranohet për shkak të mungesës totale të provave.
Ai thekson se gjykata është i vetmi organ që ka dhënë verdiktin mbi rezultatin dhe vlefshmërinë e zgjedhjeve.
Për presidentin e Parlamentit Evropian, Jerzy Buzek, dialogu mes liderëve politikë shqiptar duhet t’i japë fund ngërçit politik, opozita duhet të kthehet në parlament në mënyrë që të vazhdohet përpara me reformat e nevojshme për integrimin evropian.
Buzek e mbyll deklaratën duke u uruar palëve fat të mbarë me shpresën se të shtunën do të marrë lajme të mira.
Josef Daun kryetar i grupit parlamentar të partive popullore në Parlamentin Evropian i bëri thirrje Partisë Socialiste të respektoj vendimin e KQZ dhe Kolegjit Zgjedhor që hodhën poshtë kërkesën e saj për rinumërim të votave në disa zona zgjedhore.
Ndërkohë Elmar Brok, koordinator i punëve të jashtme i grupit parlamentar të PPE shprehet se gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare në Shqipëri vëzhguesit e huaj që monitoruan procesin e votimit dhe numërimit nuk raportuan për parregullsi apo manipulime.
Ndërkaq zv/presidenti i Parlamentit Evropian, Libor Roucek ka përgënjeshtruar shkrimet e disa gazetave shqiptare ku thuhet se ai vetë ka kërkuar një hetim të plotë të zgjedhjeve dhe hapjen e kutive.
Në një komunikatë për shtyp Roucek i bën thirrje Partisë Socialiste të Shqipërisë të njohë rezultatin e zgjedhjeve në përputhje me raportin e OSBE-së dhe të marrë përsipër detyrat e veta parlamentare sa më shpejt që të jetë e mundur./tvklan.al