Përfaqësuesi politik i Partisë Demokratike në KQZ, Njazi Kosovrasti i mëshon argumentimin se vendimmarrja për zëvendësimin e mandateve nga institucioni kryesor përgjegjës për zgjedhjet, bëhet me shumicë të thjeshtë. Neni 24 i kodit zgjedhor e ka përjashtuar këtë vendimmarrje prej atyre që kërkojnë votën e 5 anëtarëve të KQZ.
Njazi Kosovrasti: “Ligjvënësi ka bërë shumë kujdes, thotë me 5 vota shpërndarja e mandateve sipas asaj që thuhet në nenin 162, 163 dhe 166/3. Po ta ndjekim me kujdes nuk e përmend nenin 164, i cili është neni që ka të bëjë me ndërprerjen dhe zëvendësimin e mandateve. Ka një pikë tjetër në vijim të nenit 24 që thotë që në raste të tilla vendimet merren me një shumicë të thjeshtë votash siç është rasti i nenit 164.”
Kështu kodi zgjedhor ka konsideruar me rëndësi procese të tilla si përllogaritja e mandateve për çdo zonë zgjedhore, ndarja e mandateve brenda koalicionit, si dhe ndarja e mandateve të këshillave vendore në bazë të sistemit proporcional, parashikuar nga nenet 162, 163 dhe 166 pika tre duke përjashtuar nenin 164 nga vendimmarrja me 5 vota. Neni 164, flet për ndërprerje dhe zëvendësim mandatesh por sipas Kosovrastit KQZ bën vetëm zëvendësimin e mandatit të deputetit.
Njazi Kosovrasti: “Ndërprerja e mandatit nuk është punë e KQZ, ndërprerjen e mandatit e bën Kuvendi, mbështetur në nenin 71 të Kushtetutës ku janë rastet kur tregohet se ku ndërpritet mandati i deputetit. Këtë konstatim e bën Kuvendi me një seancë merr vendimin për ndërprerjen e mandateve dhe në këto kushte Kuvendi i drejtohet KQZ-së.”
Kosovrasti thotë se nuk ekziston asnjë ngërç kushtetues që të mund të pengojë Kuvendin dhe KQZ, të marrin vendim për ndërprerje dhe zëvendësim të mandateve të deputetëve./tvklan.al