Reporteri i OSBE-se për zgjedhjet, Christian Miesch, rithekson qëndrimin tashmë të bërë publik dhe në raportin e prezantuar pak ditë më parë nga kreu i kësaj prezence në Tiranë për ndërprerje të bojkotit parlamentar nga ana e Partisë Socialiste.

Duke u ndalur në mënyrë të veçantë në atë që ai e cilëson përmbushje të standardeve në procesin elektoral të 28 Qershorit, zoti Miesch, njëherazi dhe deputet i parlamentit zviceran thekson se zgjedhjet parlamentare u zhvilluan në transparencë të plotë.

Ai është i prerë në qëndrimin e tij kur thotë se gjatë procesit të numërimit nuk është deformuar rezultati i dalë nga kutitë e votimit.

Madje duke sjellë ndërmend deklaratat e Partisë Socialiste gjatë ditës së zgjedhjeve, ai shpreh habi për qëndrimin e tanishëm të saj.

Christian Miesch: “Sipas këndvështrimit tonë, jo. Të dielën, pas zgjedhjeve, morëm sinjalin si nga qeveria ashtu edhe nga opozita, pra, nga të dyja partitë kryesore, se do ta njihnin rezultatin e zgjedhjeve. Prandaj, jemi disi të habitur që tani një parti po e bojkoton Parlamentin, sepse bojkoti është një formë proteste, por nuk është kjo zgjidhja, sepse një demokraci ka nevojë për të gjitha palët për të diskutuar. Ne kemi përgatitur edhe raportin final, në lidhje me këto zgjedhje. Këtë raport e biseduam me qeverinë, por edhe me opozitën. Sipas këndvështrimit të OSBE-së këto zgjedhje i plotësuan standardet ndërkombëtare. Gjatë zhvillimit të zgjedhjeve kudo në botë ka parregullsi të vogla. Edhe këtu ka pasur probleme të vogla.”

Lidhur me qëndrimin e kryesocialistit Rama për të mos u kthyer në parlament pa bërë më parë transparencën e asaj që Rama e cilëson deformim të vullnetit të lirë të qytetarëve, zoti Miesch ka një përgjigje.

Për të mungesa në parlament e opozitës ka një kosto lidhur me përmbushjen e angazhimeve që tashmë Shqipëria ka për një integrim sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian.

Christian Miesch: “Ne e kemi dokumentuar edhe mendimin tonë në lidhje me këtë në raportin tonë. Ne e vlerësojmë sistemin e ri zgjedhor si një përmirësim të dukshëm. Para së gjithash edhe numërimi i votave, ku u mblodhën kutitë e votimit, ishte transparente. Kjo transparencë natyrisht që është një hap rrënjësor përpara dhe kjo nuk duhet diskutuar. Nuk është në dobi të vendit që opozita më e fortë të mungojë. Natyrisht që ky nuk është një sinjal i mirë, pozitiv, sepse është qeveria dhe opozita që duhet të bashkëpunojnë për plotësimin e reformave. Shpresoj më të mirën e Shqipërisë, për këtë vend kaq të bukur.”

Deklarata e reporterit të OSBE-së vjen pak ditë pasi kreu i prezencës së këtij misioni në Tiranë, Robert Bosch gjatë prezantimit në këshillin e përhershëm të raportit për zhvillimet politike në Shqipëri, i cilësoi zgjedhjet e 28 Qershorit si më të mirat të zhvilluara në vendin tonë dhe i quajti të pavërteta pretendimet e opozitës për parregullsi dhe shkelje të vërejtura gjatë procesit elektoral./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro