Tirana do të përfaqësohet në Kuvendin e ri që do të dalë nga zgjedhjet e 11 Majit me një deputet më shumë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hartuar projektvendimin që do të diskutohet nesër në mbledhjen e Komisionit Rregullator për ndarjen e mandateve për secilën zonë zgjedhore qark, ku parashikohet që qarku i Tiranës të ketë 37 mandate në Kuvend, nga 36 që ka në këtë legjislaturë.

Sipas projektvendimit ky mandat do t’i hiqet Qarkut të Korçës, i cili për shkak të tkurrjes së numrit të popullsisë në legjislaturën e re do të përfaqësohet me 1 deputet më pak.

Më konkretisht Korça nga 11 mandate që ka tani do të ketë vetëm 10 të tillë.

Mbetet e pandryshuar situata në qarqet e tjera, të cilat do të kenë sërish të njëjtin numër deputetësh.

Ndarja e mandateve bëhet sipas një formule të caktuar ku numri i përgjithshëm i popullsisë pjesëtohet me 140, aq sa është numri i deputetëve në Kuvend për të nxjerrë mesataren që duhet për një mandat deputeti.

Më pas numri i shtetasve për çdo zonë zgjedhore pjesëtohet me numrin mesatar të shtetasve që i takojnë çdo mandati.

Sipas të dhënave të Gjendjes Civile numri total i shtetasve është 4 milionë e 627 mijë, i cili është pjesëtuar me numrin 140 të mandateve të Kuvendit.

Kjo është përcaktuar shifra 33056 si numri mesatar i shtetasve që i takojnë çdo mandati deputeti.

Tv Klan