Lajme Arkiva 2003
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë së fundmi me një deklaratë lidhur me raportin paraprak që ODIHR dhe OSBE paraqitën për zgjedhjet vendore të 12 Tetorit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vlerësuar deklaratat e vëzhguesve se zgjedhjet e fundit vendore kanë shënuar progres. Pavarësisht disa mangësive në listat e zgjedhësve dhe problemeve të trajnimit të komisionerëve të qendrave të votimit.
Erton Sinani: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vlerëson përfundimin e vëzhguesve ndërkombëtar se KQZ meriton vlerësim për administrimin e zgjedhjeve në një mënyrë përgjithësisht profesionale, transparente e madje edhe objektive. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mirëkupton përfundimin e misionit të vëzhgimit të OSBE-ODIHR mbi mangësitë e listave të zgjedhësve, por edhe progresin që është bërë nga procesi i kaluar zgjedhor në Shqipëri. KQZ do të konsiderojë me vëmendje përfundimin e vëzhguesve ndërkombëtarë se komisioni nuk ju përmbajt afateve të shpërndarjes së listave, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u përpoq të plotësonte kërkesat e partive politike duke i bërë kështu gjithmonë shërbim vetë Zgjedhësve. Megjithatë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve merr dijeni për qëndrimin e misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE-ODIHR se mangësitë në listat e zgjedhësve nuk ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve dhe se nuk ka asnjë provë që ato janë të manipuluara duke e renditur këtë çështje në detyrat kryesore të KQZ-së në përgatitje të procesit të ardhshëm zgjedhor. Për sa i përket vërejtjeve të misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE-ODIHR-it, se anëtarët e Komisioneve Zgjedhore të Qeverisjes Vendore dhe komisioneve të qendrave të votimit, në përgjithësi kanë patur njohuri të pakta të kodit zgjedhor dhe të udhëzimeve kryesore të KQZ-së. Komisioni e vlerëson këtë fakt si realist pavarësisht se janë organizuar 4 trajnime intensive për KZQV-të dhe një trajnim për komisionet e qendrave të votimit./tvklan.al