Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Vetëm në rrethin e Fierit shteti ka humbur 20 miliardë lekë për shkak të mos shlyerjes së kredive të marra në bankë. Për këtë vit, në Gjykatën e Rrethit të Fierit, Agjencia e Trajtimit të Kredive, ka dorëzuar 110 denoncime, ndërsa për gjysmën e tyre tashmë ka një urdhër ekzekutimi në zyrën e përmbarimit, që urdhëron këtë zyrë të sekuestrojë pasuritë e paluajtshme të personave borxhlinj.

Sipas kryetarit të Agjencisë së Trajtimit të Kredive në Fier, Sotir Torromani, janë 822 kreditorë që nuk kanë shlyer detyrimet dhe vetëm 122 janë treguar korrekt me ligjin.

Sotir Torromani:- “Në Gjykatën e Shkallës së Parë të Rrethit Fier, janë dorëzuar mbi 350 praktika, për lëshim të urdhër-ekzekutimit. Gjatë vitit 2004 janë dorëzuar 110 praktika, për të cilat ka përfunduar gjykimi për 70 copë dhe pjesa tjetër është në vazhdim të gjykimit”.

Ndërkohë kryetari i zyrës së përmbarimit, Ilir Çipi tregon, se për këtë vit nga kjo zyrë ka nisur ekzekutimi i vendimeve për 51 kreditorë./tvklan.al