Evropa duhet të jetë në tryezën e bisedimeve mbi Ukrainën. Deklarata mbërrin nga përfaqësuesja e lartë e BE, Kaja Kallas, gjatë një interviste për European Newsroom, sipas agjencisë italiane të lajmeve Ansa.
Ka nënvizuar se këtë ja ka thënë edhe zv/Presidentit amerikan JD Vance, gjatë një takimi që e cilëson optimal, ndërsa SHBA nuk ka folur për praninë e BE në këtë tryezë.
Kallas ka thënë se tema e mbrojtjes ishte në qendër të bisedimeve, por natyrisht edhe çështja e Ukrainës, duke nënvizuar që Europa duhet te jetë patjetër e pranishme në negociata, pasi çka do të dakordësohet ndikon shumë mbi BE.
Sipas saj, shumë çështje shihen në tjetër këndvështrim në Europë, ndryshe nga kush jeton shumë larg nesh, ka shtuar, duke saktësuar se SHBA kanë kërkuar të jenë në dijeni te pikëvështrimit të unionit.
Një ditë më parë pati një telefonate mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe atij rus Vladimir Putin për nisjen e negociatave për përfundimin e luftës në Ukrainë, bisedë që u cilësua e frytshme nga të dy palët, e u mbyll edhe me ftesa respektive vizitash zyrtare.
Ndërkohë që Kremlini ka reaguar sërish të enjten pasdite, duke saktësuar se do të duhet kohë për organizimin e një takimi të këtij niveli mes dy presidentëve, duke shtuar se negociatat me SHBA nuk duhet të anashkalojnë sigurinë e kontinentit europian.
Por zëdhënësi Peskov ka përmendur edhe se negociatat mbi Kievin kërkon t’i vijojë edhe me Vatikanin, citojnë agjencitë ruse të lajmeve.
Dimitry Peskov ka deklaruar gjithashtu që aktori kryesor në negociata do të jenë SHBA, pra do të ketë bisedime SHBA-Rusi, më pas edhe me Ukrainën.
Ndërsa nuk ka përmendur përfshirjen e Kinës si ndërmjetës, që sipas mediave amerikane ka bërë përpjekje për të patur pikërisht atë rol, që shihet me skepticizëm nga Europa e SHBA.
Klan News