Qindra besimtarë ortodoksë iu drejtuan që në orët e para të ditës kishës së Shën Marisë në fshatin Boboshticë të Korçës për të kremtuar siç thuhet në kalendarin ortodoks fjetjen e virgjëreshës Mari.

Liturgjia hyjnore u mbajt në kishën që daton prej shekullit  të 14-të. Pasi janë lutur përpara ikonës së shenjtores, besimtarët kanë kënduar së bashku himne për Perëndinë dhe birin e tij, Jezu Krishtin.

Gjithçka ia ka lënë vendin më pas festimeve tradicionale.

“E presim me shumë gëzim, si nuk e presim? Një festë fetare të tërëve na mëson për mirë, Feja, ndjehemi më të qetë, çdo gjë e mirë.”

“Shën Mëria është festa më e dashur për ortodokset. Është një vend që neve shprehim dëshirat tona, kërkojmë paqe në shpirtin tonë dhe një të ardhme sa më të mirë për Shqipërinë dhe për ne shqiptarët.”

Bashkë me  ditën e Shën Marisë, banorët e fshatit Groicë në Dropull të Gjirokastrës, kanë festuar  edhe ndërtimin e kishës së re. E ngritur mbi rrënojat e kishës së vjetër që daton në shekullin e 3-të pas erës sonë, ajo shihet nga besimtarët si një vend i shenjtë.

“Edhe kur qe rrënuar kjo si vend i shenjtë vinin njerëzit hidhnin lekë, ndiznin qirinj edhe kur qe rrënuar kështu. Tani është ndërtuar, është bërë e re. Ne e bëmë si fshat me forcat tona.”

“Festojmë ditën e Shën Mërisë. Dita e dashur e fshatit tonë dhe e dashur e gjithë kombit.”

Kjo ditë është festuar sipas riteve tradicionale edhe në shumë fshatra të Gjirokastrës, Sarandës e Delvinës.

Nuk kanë qenë të paktë edhe emigrantë që janë kthyer pranë familjeve të tyre me rastin e kësaj feste.

Edhe pse duket e çuditshme por kisha e Shën Marisë është një vend i shenjtë jo vetëm për besimtarët ortodoksë, por edhe për ata myslimanë. 

Banorët e fshatit me të njëjtin emër në rrethin e Kurbinit, kanë nisur pelegrinazhin në rrënojat e kishës së vjetër të fshatit qe në orët e para të mëngjesit.

Ndonëse rruga është e paasfaltuar dhe ne gjendje te keqe nuk janë të paktë ata që besojnë se duke u lutur në këtë vend gjenden më afër mëshirës së perëndisë.

“Mua për vete më kanë ardhur shumë të mira, shumë prova. Na ndihmoftë të tonëve.”

“Festojmë çdo 15 Gusht, e festojmë dmth si puna e Bajramllikut”.

“Kjo festohet për të tërë vitet, ne vit për vit”.

Gazetari: Çfarë të mirash ka sjellë?”

“Më ka sjellë të mira sa të duash”.

Ky objekt fetar ne fshatin Shën Mëri të Kurbinit daton qe ne shekullin e katërt te erës sonë dhe shihet nga besimtarët si nje vend i shenjtë. Kjo ditë u festua të shtunën edhe ne shume zona te tjera te vendit./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle