Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Protokolli i firmosur mes dy forcave kryesore politike nën prezencën e OSBE-së një ditë më parë, për kryetarin e KQZ Celibashi është fillimi i procesit të reformës zgjedhore. Ai përshëndet këtë protokoll. Për kryetarin Celibashi koha e humbur deri tani për reforma dhe ky proces do të përfundojë brenda dy muajve.

Ilirjan Celibashi: “Se kush do të jetë rezultati i këtij protokolli mbetet të shikohet në përfundim të procesit të reformës zgjedhore dhe ky përfundim i këtij procesi konsiston në miratimin e ndryshimeve përkatëse ligjore në kodin zgjedhor veçanërisht, pasi të bëhen këto ndryshime, atëherë do të shikohet se kush do të jetë rezultati i protokollit dhe i kësaj nisme, por ajo çfarë është thelbësore është kjo që partitë politike shqiptare në përgjithësi dhe institucione të cilat kanë detyrim në bazë të kushtetutës dhe ligjit për të ndërmarrë iniciativa ligjore dhe përë të bërë ligje, do të duhet që në këtë proces reformues, t’i qëndrojnë rigoroz atyre çka rekomandohen në raportin përfundimtar të OSBE-ODIHR. Është e detyrueshme që të përmbushen të gjitha këto rekomandime”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është zbatuesi i ligjit, ai nuk kontribuon në parashtrimin e zgjidhjeve apo formulave të ndryshme për elementë të veçantë të procesit zgjedhor. Por rezultati i këtij protokolli do të shihet vetëm në fund të procesit të reformës zgjedhore./tvklan.al

Gazetare: Holta Zhiti