Kryetari i “Lëvizës Socialiste për Integrim”, Ilir Meta ka shpallur programin qeverisës të forcës politike që ai drejton në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu në televizionin Klan.
Ndër të tjera, Meta ka kërkuar konsensus mes partive politike që ndryshuan kodin e zgjedhjeve, të ulen në tavolinë në praninë e OSBE-ODHIR për të zgjidhur së bashku problemet përpara zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, në mënyrë që ky proces të bëjë hapa para.
Ilir Meta: “Në qoftë se janë vërtetë 200 mijë veta të cilët nuk kanë mundësi të pajisen me karta për shumë e shumë arsye hajde të gjejmë një zgjidhje se çfarë do të bëjmë. Por nëse janë 200 mijë veta që nuk duan të marrin kartat, nuk duan të marrin pasaportë, nuk duan të marrin asgjë dhe nuk duan të shkojnë në zgjedhje, me pahir këta nuk mund t’i çosh. Kjo qeveri duhet t’i bënte me kohë. Na premtoi zoti Berisha kur erdhi në pushtet që në vitin 2007 për zgjedhjet lokale shqiptarët do votojnë me karta, kjo gjë nuk ndodhi, kodi u bë me një vonesë të tejskajshme. Natyrisht që këto probleme priteshin, tani çfarë duhet të bëjmë, duhet të mblidhemi. Unë nuk e përjashtoj veten, unë jam gati të kontribuoj. Pra kur them unë LSI, jam kam thënë dhe zonjës Glover dhe vazhdimisht misionit të OSBE-ODIHR, ju lutem nuk kemi nevojë për raportet tuaja pas zgjedhjeve, që të na thoni ishte ky problem. Ju lutem na e thoni tani ti rregullojmë, të bëjmë zgjedhje sa më të mira se ne pandihmën tuaj nuk i bëjmë dot më të mira.”
Kryetari i LSI-së, Meta ka nënvizuar faktin se ky sistem zgjedhor është shumë i dobët. Sipas Metës, ky është një cenim i demokracisë së drejtpërdrejtë, por që duhet të rregullohet patjetër në legjislaturën e ardhshme. Meta tha gjithashtu se partitë e mëdha që përgatitën këtë kod, ishin të vetmet që në përpjekje për të qenë superior ndaj kundërshtarit në zona të veçanta, dërguan me shumë vonesë listat e kandidatëve në KQZ.
Ilir Meta: “Sistem është ky që nuk dorëzohet lista në 12 të natës, po ky është sistem i turpshëm. Çfarë ndodhi me partitë e tjera e patë vetë nuk i çonin dot listat deri në orën 12 të natës. Ky sistem me lista të mbyllura po të renditura, ku votuesi ka të drejtë të shprehet vetëm për partinë dhe nuk shprehet dot për kandidatët. Pa asnjë diskutim është kthim mbrapa në demokraci. Unë e urrej këtë sistem me lista të mbyllura.”
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në panel se nëse e majta do të fitojë zgjedhjet, kush do të jetë kryeministri i ardhshëm i vendit, Meta tha se shqiptarëve nuk iu duhet më shumë emri i kryeministrit të ardhshëm, por largimi i kryeministrit Berisha nga qeverisje./tvklan.al
Gazetar: Edian Gjoni