Shpëtim Idrizi: “Kanë kaluar kohë të veçanta që kur unë e mora mandatin për të cilin sapo u betova. Opozita nuk po e zë vendin e vet në parlament dhe polemikat vazhdojnë duke rrënuar kapacitetet konstruktive të shoqërisë. Nuk mund ta injoroja në diskutimin tim të parë bojkotin e opozitës për shkak të pakënaqësive të saj për mënyrën se si u zhvilluan zgjedhjet. Sigurisht vendi i opozitës është në parlament për të përmbushur detyrën e saj të kontrollit dhe të oponencës mbi qeverinë. Në lidhje me këtë çështje do të propozoja që të gjenden rrugët për të vendosur kontaktet midis pozitës dhe opozitës, duke iu shmangur komunikimit në distancë nga foltoret e mediave. Bashkë me kolegun tim Dashmir Tahiri jam në parlament si përfaqësues i një partie të re politike PDU, parti parlamentare që ka në boshtin e vet zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare. Pas një turi takimesh dhe konsultimesh nëpër Shqipëri, ku morëm bekimin për këtë iniciativë të re politike, jam këtu për ti dhënë asaj edhe një zë parlamentar. Për ta futur atë edhe në kanalet institucionale të diskutimit dhe zgjidhjes së problemeve me natyrë kombëtare. Ne do të ndërmarrim nismën për ti propozuar këtij parlamenti të nderuar miratimin e një rezolute për çështjen çame. Ne i kërkojmë publikisht kësaj qeverie që të kujdeset dhe të vendosë një lapidar përkujtimor në varrezat e fshatit …, ku dergjen eshtrat e 2600 çamëve, kryesisht gra, pleq dhe fëmijë. Ata vdiqën nga etja, uria dhe lodhja në ikjen biblike për ti shpëtuar masakrës nga gjenocidi i bandave të … për të cilin si për një ironi cinike në anën tjetër të kufirit vihet një përmendore. Ne i kërkojmë publikisht kësaj qeverie dhe veçanërisht ministrit të kulturës të akordoj fonde për shtëpinë muze të njërit prej dijetarëve më të shquar dhe patriot të Rilindjes kombëtare shqiptare me origjinë çame Hasan Tasini. Shtëpi e cila mbetet që nga viti 1997 e shkatërruar dhe në mëshirë të fatit. Interesi kombëtar është para së gjithash në këtë moment përshpejtimi i integrimit evropian dhe ne do të votojmë pro të gjithë atyre ligjeve që e përshpejtojnë integrimin. Ne do të mbështesim të gjithë iniciativat ligjvënëse që e përshpejtojnë zhvillimin e vendit, por ne nuk do ti japim asnjë lloj shumice, asnjë çek të bardhë, pra garanci në mbështetje të pakushtëzuar veçanërisht në rastin kur ne mendojmë se mund të cenohet interesi kombëtar.”/tvklan.al