Aleanca Socialiste për Integrim është koalicioni më i ri politik që do të shkojë në zgjedhjet e 28 qershorit. Koalicioni përbëhet nga gjashtë parti dhe në krye të tij është kryetari i LSI Ilir Meta. Sipas Metës ky koalicion është i bazuar në vlera të rëndësishme si ato të respektimit të minoriteteve, vlerat e emigrantëve dhe ato të mjedisit, të gjitha këto faktorë që do të çojnë vendin drejt Bashkimit Europian.
Ilir Meta: “Është një koalicion i cili beson, se vetëm në këtë mënyrë duke qëlluar fort mbi këto do të mund të realizohet anëtarësimi i Shqipërisë në BE. Në fund të fundit nuk ka asgjë të keqe, Berisha nisi aplikimin për qëllime elektorale, por ne do të nënshkruajmë edhe anëtarësimin e Shqipërisë në BE, sepse pa këto vlera që në mbrojmë nuk mund të bëhet konkrete e prekshme dhe e afërt Shqipëria si anëtare e BE-së që do bëhet.”
Petro Koçi: “Unë jam i bindur që ne së bashku me qytetarët progresistë të këtij vendi, po përfaqësojmë një alternativë të re, një alternativë ndryshe nga mazhoranca Berisha, një alternativë të ndryshimit të sistemit politik nga një sistem që tashmë është i kontrolluar nga pashallarë të politikës, drejt një sistemi të ri modern ku qytetari kontrollon vendimmarrjen politike.”
Në përbërje të koalicionit aleanca Socialiste për Integrim janë LSI, PSV 91, LDNJ, Partia e Emigrantëve, Partia e të Gjelbërve dhe Partia Toleranca e Shqipërisë./tvklan.al
Gazetar: Eno Luarasi