Në kulmin e debateve mbi ndryshimet në ligjin për funksionimin e prokurorisë, togat e zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda, kërkojnë ndryshim të kodit të procedurës penale, si dhe rritjen e kompetencave të saj në shqyrtimin e dosjeve që mbeten ende në duart e prokurorive në rrethe.
Dritan Halluni: “Do rritet kompetenca e gjykimit të kësaj gjykate. Që do të thotë, që shumë vepra të tjera që nuk janë kompetencë e gjykimit të kësaj gjykate të futen me ligj dhe që të gjykohen nga kjo gjykatë”.
Kreu i kësaj gjykate në vetëm 3 muaj nga emërimi i tij deklaron se shumë shpejt ata do t’i drejtohen parlamentit me kërkesa konkrete për ndryshimet në kodin e procedurës. Një kategorie e personave të gjykuar për çështje vërtet të rënda penale do t’ju hiqet e drejta të përfitojnë ulje të dënimit siç është ajo e pranimit të gjykimit të shkurtuar.
Dritan Halluni: “Do duhet të shikohet mënyra e operimit me kërkesat për gjykim të shkurtuar. Pra një pjesë e të pandehur për krime.. që gjykohen për krime realisht të rënda të mos të kenë të drejtë, të mos kenë të drejtë të kërkojnë gjykim të shkurtuar”.
Në 90% të çështjeve të pandehurit e akuzuar për vrasje apo krime të rënda përfitojnë uljen e 1/3 së dënimit. Lidhur me ekonominë gjyqësore, gjatë shqyrtimit të një çështje Halluni jep vlerësimet mbi palët në një proces.
Dritan Halluni: “Barazia e armëve është një nga parimet kryesore të gjykimit. Pra të dyja palët si prokurori, si dhe mbrojtja kanë për detyrë që të paraqesin, të servirin përpara gjykatës provën që ato kërkojnë, të merren në gjykim dhe që të arrijnë në konkluzionet që ato u intereson. Përsa i përket organit të akuzës përfaqësuesit e prokurorisë janë, të paktën përfaqësuesit për këto që ndeshemi ne çdo ditë këtu janë profesionalisht shumë të lartë”./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani
Operator: Klodian Keçi
Montazh: Renis Zela