Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Masakron ish-gruan e tij me thikë. Ngjarja ka ndodhur mbrëmë në mesnatë në lagjen “Shënkoll” të qytetit Elbasan. Gëzim Rexhepi 43-vjeç ka goditur dhjetëra herë me thikë ish-gruan e tij, H. K. 50-vjeç nënë e tre fëmijëve.

Sipas hetimeve paraprake rezulton se 43-vjeçari Rexhepi fillimisht e ka goditur pas shpine ish-gruan e tij, e më pas kudo në trup. E përgjakur H. K. ka kërkuar ndihmë dhe komshinjtë të shqetësuar kanë lajmëruar policinë. Pasi është siguruar që ka therur ish-gruan e tij, Gëzim Rexhepi është larguar nga shtëpia.

Policia ka dërguar menjëherë në kirurgji viktimën, e cila i është nënshtruar një ndërhyrje të gjatë kirurgjikale. Sipas doktor Adi Palloshit që priti rastin në fjalë, gruaja aktualisht ndodhet në reanimacon në gjendje të rëndë për jetën. Çifti rezulton të jetë ndarë tre vjet më parë, për shkak të grindjeve të vazhdueshme familjare.

Pas divorcit bashkëshorti bie në burg për shkak se u kthye në një vjedhës ordiner. Vetëm pak muaj më parë ai del nga burgu, sipas të afërmve të viktimës, kohët e fundit marrëdhëniet mes çiftit kihin filluar të rregulloheshin dhe ata frekuentonin shpesh njëri-tjetrin. Madje ngjarja kishte ndodhur në shtëpinë e Rexhepit ku ajo kishte shkuar për Bajram./tvkaln.al