Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Krimi po bëhet gjithnjë e më i guximshëm, jo vetëm nga forca e goditjes dhe objektivi, por edhe për nga demonstrimi i tij në mjediset publike. Atentatorët kanë mbetur pa gjakosur vetëm zonën para kryeministrit, ministrit të rendit dhe presidencës.

Vrasja e shoferit të Prokurorit të Republikës është sida e radhës ndaj policisë dhe prokurorisë shqiptare, drejtuesit e të cilëve, përpara se të angazhohen totalisht për gjetjen dhe kapjen e kriminelëve, nxitojnë të deklarojnë, se vrasja është për shkaqe banale, versione të cilat jo rrallë kanë përfunduar në kosh nga koha.

Siç ka ndodhur me gjithë vrasjet e bujshme në kryeqytet, policia ka bërë veprimet rutinë të saj, duke demonstruar paaftësinë e saj për të ecur paralelisht me modernizimin e krimit, e ca më pak për parandalimin e tij.

Policia shqiptare vazhdon edhe sot e kësaj dite, të pretendojë për zbulimin dhe ndëshkimin e krimit në përgjithësi dhe atij të organizuar në veçanti, nëpërmjet policëve të rendit. Duke kaluar në plan të dytë antikrimin, policia si çdo herë pas atentateve, ka nxjerrë në kryqëzime postblloqe me policë, që presin të bezdisur të kalojë krimineli e ta kapin. Për këtë dhe për një seri shkaqesh të tjera, pa injoruar edhe faktin që një pjesë e mirë e policisë shqiptare është e lidhur me krimin e organizuar, vrasjet më të bujshme në Tiranë, si Miri i Xhikes, Arben Pojani, Florian Vila, Sali Tivari nuk janë zbardhur ende.

Edhe pse shumë vonë policia domosdoshmërisht duhet të kap njërin prej autorëve të këtyre vrasjeve të bujshme dhe të bind publikun, se nuk ka gabuar në motivet e deklaruara dhe se ajo është në gjendje të zbulojë krime më të rënda se ato që ndodhin brenda familjeve./tvklan.al