Hetimi i zgjedhjeve nga një trupë e përbërë prej 100 prokurorësh, është rruga që afron qëndrimet e palëve dhe i jep zgjidhje ngërçit politik në vend.
Ky është argumenti i dhënë nga juristi Kristaq Kumi, i cili në një intervistë për Televizionin Klan shprehet se nëpërmjet kësaj oferte të bërë nga kryeministri Berisha, në adresë të opozitës, synohet të bëhet një transparencë e plotë e zgjedhjeve të 28 Qershorit.
Sipas ish-kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të vënë në zbatim një nismë të tillë, më parë komisioni hetimor duhet të ndjekë këtë procedurë.
Kristaq Kumi: “Oferta që ka bërë kryetari i mazhorancës është një ndër rrugët për të afruar palët në gjetjen e zgjidhjes për këtë krizë politike. Është një zgjedhje, e cila nuk anashkalon partitë politike në zgjidhjen e krizës, nuk anashkalon institucionin, parlamentin, komisionin parlamentar, por në të njëjtën kohë krijon mundësira edhe për mosmbivendosje të punës midis institucioneve, ndarjen e pushteteve. Komisioni hetimor parlamentar i plotësuar ka të drejtën e plotë dhe mundësinë e plotë që të marrë një vendim, në zbatim të të cilit t’i kërkohet prokurorisë së vendit të hetojë procesin zgjedhor. Produkti që mund të realizojë hetimi i prokurorëve, të jetë informacioni që do t’i përcillet pastaj parlamentit dhe lënda mbi të cilën parlamenti do të punojë për reformën e re zgjedhore me objektivin final që të mos të përsëriten fenomene, të cilat mund të ndeshi gjatë hetimit grupi prokuror”.
Por juristi Kume shkon më tej në argumentin e tij, teksa thekson se një tjetër rrugë, edhe kjo që mund të shërbejë në funksion të zgjidhjes së ngërçit politik është aktivizimi i shoqërisë civile, e cila sipas tij me mandatin e dhënë nga komisioni hetimor mund të bëjë transparencën e zgjedhjeve të 28 Qershorit, variant që sipas zotit Kume, ka gjetur dhe mbështetje në Rezolutën e Këshillit të Evropës./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro