Kërkesa e Edi Ramës për hapjen e kutive të votimit mund të realizohet përmes asnjë iniciative ligjore e nëse do të ketë një rrugëzgjidhje kjo do të ndodhë pasi Partia Socialiste të shkoj në kuvend.
I këtij mendimi është ish kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, i cili shpjegon se gjetja e rrugëve ligjore kushtëzohet nga legjislativi pasi zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit janë tashëm një kapitull i mbyllur.
Kristaq Kume: “Procesi zgjedhor është një proces i mbyllur dhe ajo çka do ketë të bëjë me iniciativë të re ligjore, mos jetë e lidhur me thelbin e këtij procesi, me produktin e këtij procesi, por të jetë si një kërkesë për të realizuar një precedent të ri ose një standard të ri në proceset zgjedhore, atë që në Shqipëri kutitë mund të hapen. Për të realizuar këtë nuk mjafton vetëm që të deklarohen, por duhet të investohemi dhe investimi mund të bëhet në forma nga më të ndryshmet. Nga të cilat ose duke angazhuar gjykatën kushtetuese për të gjetur hapësirën ligjore që të lejojë parlamentin për një vendimmarrje të tillë ose parlamenti me një ligj të veçantë le të trajtojë mundësinë për të vëzhguar se çfarë ka ndodhur në kuti, por jo si subjekt i procesit zgjedhor të mbyllur, por në funksion të realizimit të mjeteve në shërbim të reformës së re zgjedhore, të zgjedhjeve të ardhshme.”
Për zotin Kume kjo zgjidhje që vjen në funksion të një procesi vijues elektoral kërkon më parë opozitën brenda dyerve të kuvendit.
Kristaq Kume: “Mjeti i cili mbështetet në ultimatumin është mjet që jo vetëm nuk sjell zgjidhje, por as nuk duhet përdorur. Unë e kam mirëpritur edhe lëvizjen që ka bërë opozita për të marrë të shprehur vullnetin e 20 mijë ose më shumë zgjedhësve të Shqipërisë për të çuar një iniciativë ligjore në parlament. Është e pamundur që të zgjidhet problemi ndryshe, vetëm në parlament dhe vetëm nëpërmjet këtij institucioni mund të bëhen ndërhyrjet e mundshme ligjore dhe duke e theksuar edhe njëherë duke e konsideruar gjithçka ka prodhuar procesi zgjedhor i 28 qershorit të mbyllur. Në qoftë se nuk shprehet vullneti për të kërkuar zgjidhjen në këto mundësi që jep një shoqëri demokratike unë do të thosha së qëllimi nuk është ky që deklarohet.”
Qëndrimi i ish kryetari të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve vjen në një kohë kur opozita deh lideri i saj Edi Rama ka deklaruar se në rast të mos hapjes të kutive të votimit brenda një afati 10 ditor atëherë kjo e fundit do të përshkallëzojë protestat dhe do të kërkojë zgjedhje të parakohshme./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro