Zv/kryeministri Ilir Meta, njëherazi edhe Ministër i Jashtëm deklaroi pas kthimit nga Sllovenia, ku ndodhej për një vizitë zyrtare se mbështet tryezën e presidentit për vendosjen e një dialogu mazhorancë-opozitë, por hodhi poshtë mundësinë e hapjes së kutive të votimit.
Në një komunikim me mediat numri dy i qeverisë u shpreh optimist për zgjidhjen e ngërçit politik, që sikundër tha ai nuk duhet të jetë aspak në shkelje të dispozitave kushtetuese dhe vendimeve të gjyqësorit.
Ilir Meta: “Nuk kemi të bëjmë me çështje kutish, por kemi të bëjmë me një çështje që ka të bëjë me zbatimin e kushtetutës dhe të respektimit të vendimeve që Gjykata Kushtetuese ka dhënë në të kaluarën përsa i takon objektit të komisioneve hetimore. Çështje të cilat janë gjykuar nga gjykatat, mund të ndiqen vetëm në rrugë të mëtejshme gjyqësore. T’i drejtohen edhe Gjykatës Kushtetuese, siç janë drejtuar dhe për raste tjera, ose mund t’i drejtohen edhe Prokurorisë në rast se ka fakte për manipulime. Çdo futje e politikës, absolutisht që do të ishte një hap mbrapa.”
Zoti Meta komentoi dhe tryezën e një dite më parë të Partisë Socialiste me aleatët e saj, duke i quajtur vendimin për vazhdimin e protestave si një presion ndaj dialogut që po zhvillohet me ndërmjetësimin e presidentit.
Ilir Meta: “Nuk mendoj se çdo gjë varet vetëm nga presidenti. Ka tendenca për të bërë presione, të cilat nuk munguan edhe në ditën e Shën Valentinit. Në rast se pastaj flitet për ultimatume, atëherë s’kemi të bëjmë me dialog, por kemi të bëjmë me një përpjekje të qëllimshme për të krijuar një situatë krejtësisht të panatyrshme.”
Meta tha gjithashtu se nëse tryeza dështon dhe Partia Socialiste nuk kthehet në Kuvend brenda 6 Marsit, atëherë do të respektohet kushtetuta për zëvendësimin e mandateve.
Ilir Meta: “Në çdo rast jam i bindur që Kushtetuta do zbatohet, por do të ishte e rëndësishme dhe do të ishte një tregues pjekurie që të gjendej një zgjidhje politike brenda kuadrit kushtetues të vendit”.
Qëndrimet e zotit Meta vijnë pak ditë pas mbledhjes së tryezës për vendosjen e dialogut mazhorancë-opozitë nga kreu i shtetit dhe gjetjen e modaliteteve politike, që do të bëjnë të mundur rikthimin e socialistëve në institucionin e parlamentit.
Një rekomandim ky artikuluar me forcë edhe nga faktori ndërkombëtar, dhe veçanërisht nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës në rezolutën më të fundit për Shqipërinë./tvklan.al