Seanca parlamentare e datës 18 Mars do të shqyrtojë kërkesat e Partisë Socialiste që lidhen me ngritjen e Komisionit Hetimor për zgjedhjet e Qershorit 2009, si dhe e dyta propozon ndryshimin në ligjin për Komisionet  Hetimore Parlamentare.

Tek kjo e fundit Partia Socialiste ka inkorporuar dhe kërkesën e saj për hapjen e kutive të votimit. Për këtë fakt mbledhja e Konferencës së Kryetarëve ka rënë dakord për procedurën por jo për përmbajtjen e propozimeve, duke u ndarë ne kushtetueshmërinë  e tyre.

Mazhoranca u shpreh hapur për ngritjen e Komisionit Hetimore Parlamentar për zgjedhjet menjëherë  në seancën më të afërt të Kuvendit, por opozita u përqendrua në kërkesën për të ndryshuar  ligjin për Komisionet Hetimore. Një pretendim të cilin pas takimit Kryetari i Grupit Kuvendor Demokrat Astrit Patozi e komentoi me habi. Nisur dhe nga kërkesa e hershme e socialistëve për Komisionin Hetimor Parlamentar për zgjedhjet.

Astrit Patozi: Konferenca arriti konsensus përsa i përket proceduave të trajtimit të dy nismave ligjore të Partisë Socialiste. Në fakt pas diskutimeve të gjata ne mbetëm pak të befasuar nga kërkesa e zotit Ruçi, i cili kërkonte që nisma e tyre për ngritjen e Komisionit Hetimor të trajtohej pas shqyrtimit të projektligjit për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore gjë që shkaktoi pak habi për shkak se ne e kemi konsideruar, si kauzën më të rëndësishme të Partisë Socialiste në këto 6 muajt e fundit, e cila sigurisht që mbështetet  edhe në legjislacionin në fuqi ku përfshihet edhe ligji për organizmin dhe funskionimin e Komisioneve Hetimore. Por nëse ramë dakord që të dy nismat ligjore të Partisë Socialiste të trajtohen pas dy javësh pra më datë 18 në seancë plenare sigurisht që nuk mund të kishte konsensus  përsa i përket përmbajtjes së tyre, pasi ne mendojmë që gjithçka duhet te jetë korrekt dhe kompatibël me Kushtetutën e vendit me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me ligjet e tjera të vendit.”

I sapo zgjedhur në detyrën  e Kreut të Grupit Kuvendor Socialist, Gramoz Ruçi  këmbënguli në trajtimin me vullnet politik  të nismave të Partisë Socialiste.

Gramoz Ruçi: Për fat të keq nuk lexuam, nuk pamë nuk dëgjuam ndonjë përmirësim të, ose preokupim për një ndryshim të vullnetit politik të mazhorancës. Përkundrazi u ndeshëm më pretendime proceduriale  të cilat zgjatën deri në këtë orë, e megjithatë përfundimisht u ra dakord që në datën 18 do të diskutohen të dyja nismat. Do të vazhdojmë të bëjmë apel dhe të shpalosim të gjithë përgjegjësitë tona dhe seriozitetin tonë që këto nisma janë një kërkesë e domosdoshme për zgjidhjen e kësaj krizë politike dhe janë një kërkesë e domosdoshme për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”.

Por mazhoranca këmbënguli në trajtimin ligjor dhe kushtetues të propozimeve. Ndaj dhe Astrit Patozi  në emër të grupit kuvendor demokrat ofroi si zgjidhje negociata që paraprijnë seancën e 18 Marsit.

Astrit Patozi: “Unë e ftova me shumë mirëkuptim zotin Ruçi që së bashku gjatë kësaj kohe të ulemi dhe të diskutojmë në mënyrë që ta bëjmë sa më të përshtatshme Kushtetutën dhe ligjet e tjera të vendit të dy nismat ligjore të grupit parlamentar të Partisë Socialiste në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje për të dy palët. Kjo mund të ndodhë  edhe përpara shqyrtimit në seancën plenare nëse do të ketë vullnet politik nga pala tjetër.”

Konferenca e kryetarëve prodhoi lajm të paktën në një element. Palët përmendën dhe gjetën konsensus për procedurën. Përmbajtja mban ende të pazgjidhur ngërçin politik./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi