Kriza e medikamenteve ka përfshirë jo vetëm Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, por edhe disa nga spitalet e rretheve.
Në një intervistë për TV Klan drejtori i spitalit rajonal të Shkodrës pohon se mungesa e medikamenteve është një problem që i ka shoqëruar prej kohësh.
Sipas tij ndërsa spitali nuk kishte medikamente për përdorim në farmacinë e tij gjendeshin stoqe medikamentesh të panevojshme.
Namik Kamberi: “Ka qenë një praktikë tepër e gabuar që të tjera kërkesa janë bërë nga drejtoria spitalore dhe nga shefat e shërbimeve për pajisjen me medikamente që bëhet gjithnjë në fund të vitit, kërkesat për medikamente, dhe të tjera medikamente kanë ardhur. Ndoshta kanë ardhur medikamente që s’kanë pasur të bëjë fare me x shërbim dhe duke qenë të tilla dihet që ato nuk janë përdorur, kanë mbetur stoqe dhe ka ardhur puna dhe që kanë skaduar”.
Aktualisht sipas kreut të spitalit të Shkodrës në farmacinë spitalore gjendet vetëm një sasi e vogël medikamentesh, ndërsa pjesa më e madhe e ilaçeve që nuk përdoreshin nga ky spital, janë dërguar në spitalin e Durrësit.
Evidentimi i stoqeve të ilaçeve në farmacitë spitalore erdhi menjëherë pas kërkesës së Ministres së Shëndetësisë, Anila Godo./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami