Rënia e çmimeve të produkteve bujqësore dhe kërkesës së eksporteve ka nxjerrë nëpër rrugët e Greqisë mijëra fermerë, të cilët kanë bllokuar rrugët drejt kryeqytetit dhe Selanikut dhe një pikë kufitare me Bullgarinë fqinje.
Kësaj bllokade i janë përgjigjur edhe doganierët bullgarë, të cilët sollën policinë për të ndaluar protestuesit që të hynin me dhunë me traktorë në territorin bullgar.
Protesta e 8 mijë fermerëve u shtri edhe në qendër të Athinës dhe në ishullin e Kretës. Ata kërkojnë uljen e taksave për këto biznese dhe kredi shtetërore pa interesa, për të rimëkëmbur rënien e çmimeve gjatë kësaj krize ekonomike.
Qindra bullgarë vazhdojnë të protestojnë për 2 javë tashmë kundër reformave ekonomike dhe sociale të qeverisë. Studentë, mësuese, aktivistë, mjekë dhe punonjës të administratës u mblodhën para parlamentit në Sofie duke i kërkuar qeverisë socialiste të marrë masa për të përballuar krizën ekonomike, ose përndryshe të largohet. Të shumtë ishin ata që bërtitën fjalët mafia dhe dorëheqje.
Bullgaria është goditur rëndë nga një valë e madhe protestash të qytetarëve të cilët janë të lodhur me varfërinë dhe korrupsionin. Një prej tyre u shpreh se ndryshimi do të vijë kur qeveria të largohet./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle